E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Jugut përballet me krizën e borxhit

Analistët ekonomikë në Korenë e Jugut thonë se rritja e borxheve të familjeve në vend, lë të kuptohet se mund të jetë duke u afruar një krizë e ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Koreja e Jugut ka ndryshuar nga një vend që tradicionalisht kursente, në një vend që shpezon përtej mundësive. Tani ekspertët po paralajmërojnë se Koreja e Jugut mund të pasojë Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane dhe të tjera që po kalojnë krizë. Jeong Young-sik, një analist në Institutin e Studimeve Ekonomike Samsung thotë se familjet koreane nuk e kanë marrë ende mesazhin.

“Në vendet amerikane, Japoni dhe Evropë, borxhi në familje po pakësohet, por në Kore po rritet”.

Një raport i fundit nga Banka e Koresë thotë se borxhi nga kreditë po i afrohet 600 miliardshit. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik thotë se familjet koreane po shpenzojnë një herë e gjysmë më shumë sesa fitojnë në muaj. Është një nga përpjestimet më të larta të botës së zhvilluar.

Jeong Young-sik thotë se Koreja e Jugut përballet me një situatë të ngjashme me atë të Japonisë në vitet ’90. Atëherë Tokios iu desh të shpëtonte familjet e zhytura në borxh. Sot, borxhi i qeverisë japoneze është sa 200 për qind e prodhimit të saj kombëtar dhe ajo nuk ka mundur të rimëkëmbet pjesërisht për shkak të numrit të ulët të lindjeve dhe numrit të lartë të të moshuarve që nuk punojnë.

“Kriza e borxhit pritet ta prekë Korenë e Jugut sepse popullsia do të bjerë, krahu i punës do të bjerë. Kjo do të thotë që çmimet e banesave do të fillojnë të ulen”.

Ai parashikon se nga viti 2015 deri në vitin 2020, qeveria koreano-jugore mund të ndërhyjë për të mos lejuar rënien në krizë. Jeong thotë se nëse Koreja e Jugut do që ta shmangë një skenar të ngjashëm me vendet evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, familjeve do t`u duhet të fillojnë të kursejnë përsëri para.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›