Festa e PD-së karafili i të gjithëve
Dorian Matlija
Nuk ka si pranvera. Sa më shumë rron, aq më shumë e përjeton me gaz ardhjen e pranverës. Dielli bëhet më i ngrohtë, natyra niset drejt rrugëtimit të ripërtëritjes, drejt çlirimit të bukurive të strukura prej acarit. Është dita kur përmes ndryshimesh pozitive arrihet pika e barazisë. Por mes kremtimeve të jetës dhe atyre fetare, ne shqiptarët nuk e humbëm rastin që në natyrshmërinë festive të kësaj dite të fusim kontrabandë edhe përvjetorë e ngjarje personale.
Kontrabanda e preferuar nga mediat padyshim që është fitorja e Berishës e 22 marsit 1992. Mitingu madhështor i Tiranës duket sikur i bën karshillëk barazisë astronomike dhe kremtimeve fetare. Një miting për një festë personale në mes të Tiranës, kryeqendrës së kryegjyshatës botërore të bektashinjve. Një miting me moton Hapuni të gjithë se tani do festoj unë! E di, e di, dikush mund të thotë që është festa e demokracisë dhe është festë e të gjithëve, bla bla bla, por ky përcaktim çalon pikërisht tek 22 marsi. Në këtë datë të motit 1992 ajo që ndodhi është që në zgjedhjet e dyta pluraliste fitoi PD. E çfarë ka të veçantë këtu për të gjithë shqiptarët? Asgjë. Thjesht një parti politike fitoi mbi një parti tjetër.
Nëse do të dëshirojmë të festojmë patjetër një ditë demokracie, atëherë kemi alternativa të tjera më bindëse. Pa u zgjatur me historinë e Shqipërisë para viteve të Luftës II Botërore, mund të themi pa frikë se dita e demokracisë ishte ajo ditë kur studentët e dhjetorit detyruan pushtetin të përkulet dhe të çedojë pak demokraci pa ushtruar dhunën që parashikonin ligjet e kohës. Nëse këtë e kemi konsumuar me 8 dhjetorin, atëherë sërish kemi 31 marsin, ditën kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste. 31 marsi ishte vërtet një datë e shënuar, ku shqiptarëve iu vunë përpara, për herë të parë pas diktaturës së proletariatit, disa mundësi zgjedhjeje, përmes një konkurimi ideologjik, programor dhe njerëzor.
Më 31 mars për herë të parë konkurronin të lirë shumë parti, shumë kandidatë dhe kjo ishte zyrtare tashmë. Në vend që të festojmë 31 marsin si ditë e kremtimit të pluralizmit, shkojmë e i vijmë nga pas Berishës sepse më 22 mars të vitit tjetër ai fitoi vetë në zgjedhje. Votimet e 22 marsit nuk u karakterizuan nga asgjë e veçantë për të zënë vend të histori. As nuk ishin të parat zgjedhje pluraliste, as nuk ishin zgjedhje pa manipulime, as nuk ishin zgjedhjet me standardet më të mira. Madje edhe sot vazhdojmë të bëjmë çdo dy vjet zgjedhje më të mira se të kaluarat, duke na bërë të mendojmë se ato të vitit 1992 ishin ibret, po aq ibret sa ato të vitit 1991. Por Berishës edhe po nuk i erdhëm neve pas, i vijnë mediat që ka marrë me qira.
I vijnë anëtarë dhe simpatizantët e PD-së, si të vetmit të legjitimuar të kësaj feste private, i vijnë edhe ca punonjës shteti që halli i dikton se çduhet të bëjnë në këtë ditë të bukur pranvere. I vijnë edhe nxënës shkollash që nuk guxojnë të aventurojnë gjetkë pa kaluar njëherë nga kremtimi i aventurave të Berishës. E megjithatë, dielli sot ngroh të gjithë globin njëlloj. Natyra manifeston më bukur se mitingu më spektakolar që mund të bëjë një i vdekshëm. 22 marsi nuk është karafili i njërit apo i tjetrit, ai është i të gjithëve. Poetët recitojnë më bukur nga thellësia e shekujve se pengmarrësit modernë të foltoreve shtetërore.
Për Naim Frashërin sot është një dit e rezë, që përsëritet moti, lint vera, lint ngrohësija, lint Aliu, vetë Zoti. Është një dit e bekuar, që rrjedh qiejshit bukurija, del në shesht Zot i vërtetë, rrëfen fytyrën e tija… Ngjallen të vdekurit gjithë mal e fusha gjelbërojnë, Qielli qesh, dheu gëzohet dhe luletë lulëzojnë. Thonë dimri na prishi, por sna humbi dot për jetë, Erdhi kjo dit e na gjeti, nuk e la dhenë të shkretë.