E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia autentike

Gjon Keka

Shtetet janë gjithnjë organizma të ndryshëm edhe pse kanë të përbashkët fatin e njëjtë të sistemit demokratik institucional, juridik e kushtetues, kjo jo se ata nuk kanë prejardhje nga rrënjët e demokracisë autentike, por se ata nuk kanë të njëjtën histori krijimi dhe të njëjtën histori politike e kombëtare të zhvillimit të tyre në të gjitha fushat. Ndërtimi dhe historia e një shteti mbi parimet e lirisë, respektivisht të demokracisë autentike nuk është një punë e ndërtimit të një shtëpie kartoni,qëllimi i një shoqërie të mbështetur në parimet e demokracisë autentike nënkupton mbështetjen në vullnetin e saj, në kohën e saj, në historinë e saj në lirinë e brendshme të saj si dhe në rrënjët identitare e kombëtare të saj.

Asnjë shtet nuk do të mund të qëndronte në këmbët e tij po nuk qe mbështetur apo po qe se nuk i ka vënë themelet në rrënjët e identitetit,kulturës rrënjësore dhe parimeve të demokracisë autentike, po ashtu në këtë kontekst asnjë shtet nuk do të njihte vetveten po nuk qe shtet i lindur nga vullneti i lirë politik i shoqërisë dhe demokracisë burimore, si dhe po qe se nuk ka ardhur lindja e tij si rezultat i kontratës në mes vullnetit të popullit dhe bazës së përbashkët të vendimmarrjes së aktorëve politik. Vetëm atëherë kur shteti ka lind si burim i vullnetit historik të popullit dhe kontratës së përbashkët të vendimmarrjes politike për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe demokratike,ne jo vetëm se do të kuptojmë esencën e tij, por edhe do të arrijmë të zhvillojmë shtetin mbi këto parime, si dhe do të kuptojmë fatin dhe të ardhmen e tij të natyrshme historike.

Një shtet demokratik që ka lind si burim i vullnetit të popullit dhe kontratës politike do të përjashtoj automatikisht lojërat e fushës politike për rreth tij, si dhe do të detyroj çdo gjë dhe të gjithë të respektojnë parimet dhe rregullat e asaj shoqërie te lirë, të ndërtuar mbi parimet e demokracisë autentike dhe kështu ne do të mund të shohim qytetarin të barabartë dhe që respekton vetveten(në kuptimin e të qenit faktor me anë të përfaqësimit politik të tij) dhe tjetrin si dhe shtetin e dal po nga vullneti i tij politik e historik.

Në demokracinë e moderuar shtetet si faktor dhe subjekt ndërkombëtar hyn në fushën e lojës politike, por në asnjë kohë, në asnjë lojë, në asnjë marrëveshje, nuk i dëmtojnë interesat vitale kombëtare të shtetit të tij,e vetmja gjë që një shtet me demokracinë autentike dhe i moderuar që mund të bëjë si pjesë dhe subjekt i sistemit të së drejtës ndërkombëtare të kombeve dhe popujve është të jetë një kontribues i rëndësishëm i zhvillimit,demokracisë,stabilitetit, paqes,ekonomisë dhe i ecjes së përbashkët të popujve drejtë të ardhmes së mirë dhe të sigurt në një botë me çarje të mëdha ideologjike dhe interesash politiko-strategjike.

Megjithatë duhet potencuar një gjë tepër të rëndësishme këtu se në një shtet të vërtetë, demokratik e kushtetues vizioni dhe urtësia janë të vetmet armë ne politik respektivisht qeverisje që një lidership apo pushtetar mund të drejtoj fatin e një kombi në rrugën e sigurt drejtë të ardhmes. Dhe këto madje duhet të jenë edhe një normë në jetën politike e qeverisëse të një shtetit demokratik e i moderuar. Një lidership i shëndosh dhe vizionar e i urtë duhet të jetë një edukator, ai duhet të kapërcej hendekun në mes të përvojës së një populli dhe vizionit të tij.

Po ashtu në këtë kuptim synimi i një politikani apo lidershipi te vetëdijshëm dhe mendjemprehtë është te racionalizoj politiken,ta bej politiken shërbëtore te kombit dhe interesave vitale te shtetit te tij,nga kjo sigurisht qe edhe morali do ngritet ne politik madje do t’i qëndronte mbi koke asaj, ndërsa humanizmi do te nxirret kështu njeriun social i cili ka para vetes pasqyre e përgjithshme të kombit dhe të së ardhmes së tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›