E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nacionalizmi dhe skizofrenia

Artan Sadiku

Në Maqedoni ndërtohen dy rende të ndryshme simbolike kolektive, ai i shqiptarëve dhe i maqedonasve. Të dyja rendet ekzistojnë njëkohësisht, paralelisht në shtet unitar. Edhe pse Maqedonia është shtet unitar, modeli i pushtetit është binar, shqiptar dhe maqedonas. Ashtu siç veçmë është vendosur, edhe VMRO-ja edhe BDI-ja në kuadër të qeverisë së njëjtë sjellin vendime politike të cilat e forcojnë rendin simbolik maqedonas, që është ekskluzivisht maqedonas dhe rendin simbolik shqiptar që është ekskluzivisht shqiptar. Kur për këtë nuk ka konsensus, atë e bëjnë në mënyrë jashtë-qeveritare, jashtë-institucionale.

Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit që organizohet nën patronazhin e Sekretariatit, përfaqësuesit qeveritarë maqedonas mungojnë, e në mënyrë të njëjtë mungojnë edhe përfaqësuesit shqiptarë në festimin e Ilindenit. BDI-ja festoi 28 nëntorin, ndërsa VMRO-ja festoi 20 Tetorin. Nxënësit shqiptarë dhe maqedonas, me vendime politike ndahen në ndërrime dhe objekte të veçanta. Duke udhëtuar nga Tetova për në Shkup dhe anasjelltas më tronditi afërsia thelbësore e luftëtarëve të rënë nga radhët e UÇK-së dhe branitellave. Kjo njëjtësi është e tmerrshme, nëse jo edhe brutale.

Ato familje që i humbën më të afërmit e tyre për narracionet e mëdha kombëtare sot janë më të dëshpëruarit, më të harruarit dhe më të afërmit njëkohësisht. Nëse këto narracione nacionaliste ishin të vërteta deri në masë të vrasjes së luftëtarëve njëri me tjetrin, atëherë koalicioni ndërmjet VMRO-së dhe BDI-së do të duhej të ishte absolutisht i pamundur. Mundësia e një koalicioni të tillë tregon për pavërtetësinë dhe karakterin artificial të këtyre narracioneve të sajuara.

Ajo që duhet të bëjmë është që ta flakim këtë konstrukt ideologjik i cili përmes aparateve të ndryshme ideologjike u vendos dhe po shfaqet si gjendje natyrore, si normalitet natyror në të cilin shqiptarët dhe maqedonasit janë të ndryshëm në natyrë dhe si të tillë urrehen. Sfida jonë qëndron në intervenimin diskursiv dhe ideologjik në fushën e politikës përmes dekonstruktimit të konstrukteve nacionale me qëllim të zhbërjes së faktit që ne veçmë e jetojmë luftën që po zhagitet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›