E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Pashkeve nga Betlehemi ne Filipine

Besimtarët e krishterë, ortodoksë e katolikë në të gjithë botën festojnë pashkët, ditën më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar. Ceremonitë që kanë nisur me celebrimin e së enjtes së shenjtë, kulminojnë me meshën e së dielës në sheshin Shën Pjetër, por ndërkohë mesha të posaçme janë mbajtur në të gjitha kryeqytetet e krishtera të botës dhe jo vetëm.

Papa Benedikti gjatë një fjalimi i tërhoqi vëmendjen Perëndimit se është larguar nga besimi dhe tradita, edhe pse është zemra e Krishtërimit. E në fakt, nuk është Europa që njofton e para ringjalljen e Krishtit. Por gjithsesi, simbolet e Pashkëve nuk mungojnë asnjëherë, duke nisur nga lepurushët prej çokollate dhe vezët e ngjyrosura. Në qytetin e Bregut Perëndimor të Betlehemit, mesha e ndezjes së qirinjve ia ka lënë vendin festimeve në Kishën e Lindjes, që besohet të jetë vendlindja e Jezusit.

Të krishterët ortodoksë rusë kanë festuar Pashkët me mesha në mesnatë në të gjithë qytetet. Në kryeqytet politikanët i janë bashkuar kongregacionit në Katedralen e Shpëtimit në meshë të drejtuar nga Patriarku Kirill, drejtuesi shpirtëror i 165 milionë ortodoksëve rusë. Qindra filipinas të devotshëm kërcyen në rrugë në festimin e Pashkëve.

Rituali i bashkimit ka nisur që në agim, ku besimtarët me skulpturën e Krishtit të ringjallur takohen me procesionin tjetër që mban skulpturën e Virgjereshës Mari, të mbuluar me nje vello të zezë. Parada që shpall lajmin e mirë vazhdon me orë dhe mbledh turma të mëdha njerëzish.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›