E Diel, 1 Nëntor 2026

Trazirat ne Jemen presidenti jep doreheqjen

President i Jemenit, Ali Abdullah Saleh pranoi të japë dorëheqjen sipas një plani 30-ditor të tranzitimit të pushtetit, që synon t’i japë fund trazirave të dhunshme kundër regjimit të tij 32-vjeçar. Zyrtarë në kryeqytetin jemenit, Sanaa konfirmuan se qeveria pranoi planin e paraqitur nga vendet e gjirit arabik.

Saleh do të dorëzojë pushtetin pas një muaji në duart e zëvendësit të tij, që nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes me opozitën, e cila i garanton atij imunitet ndaj ndjekjes penale. Të paktën 120 njerëz kanë vdekur gjatë dy muajve të protestave që kërkonin largimin e Saleh nga pushteti.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin. Me anë të një deklarate, Shtëpia e Bardhë i ka bërë thirrje të gjitha palëve për një zbatim të shpejtë të transferimit paqësor të pushtetit. Lideri i opozitës, Yassin Noman citohet nga agjencia Reuters të ketë thënë se e ka mirëpritur gjithashtu, lajmin e kalimit të pushtetit, por ai vetë nuk do të merrte pjesë në qeverinë e propozuar të Unitetit Kombëtar.

Opozita ka këmbëngulur më parë që Saleh dhe familja e tij të mos merrnin imunitet nga hetimet. Kur Saleh të lërë pushtetin pas një muaji, do të jetë lideri i tretë arab që humbet pushtetin, pas atij të Tunizisë dhe Egjiptit, për shkak të trazirave popullore gjatë këtij viti.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›