E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa e Pavarësisë, personalitetet botërore urime Topit

Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë mesazhe urimi nga personalitete të larta botërore me rastin e 28 Nëntorit, Festës Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë.

Urime kanë mbërritur nga sekretari i OKB-së, Ban Ki Mun, presidenti gjerman, presidentit rus, kreu i shtetit turk, presidenti kinez dhe ai i Polonisë.

Sipas burimeve nga presidenca, kryetari i Shtetit ka marrë mesazhe të përzemërta urimi dhe nga Madhëria e Saj, Mbretëresha Elisabet II, Perandori i Japonisë, Ahihito, Presidenti i Republikës së Francës, Nikolas Sarkozi, Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, ilham Alijev, Presidenti i Republikës së Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev, Sulltani i Omanit, Kabos Bin Said, Mbreti i Bahreinit, Hamad Bin Isa Al-Khalifa, ndërkohë që të tjera mesazhe urimi vijojnë të mbërrijnë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun:

“Është një kënaqësi e madhe për mua t’ju përcjell Ju, qeverisë dhe popullit shqiptar urimet e mia më të ngrohta me rastin e Ditës së Pavarësisë. Në përballjen me sfidat globale që po lindin, Kombet e Bashkuara kanë sprovën më të madhe se kurrë në historinë e tyre. Duke punuar me shtetet anëtare, jam i vendosur për arritjen e progresit në çështjet më të rëndësishme të kohës sonë, hap pas hapi, duke pasur rezultate përgjatë rrugës. Edhe pse ne konstatojmë kompleksitetin e problemeve që ndeshim sot, nuk duhet të lemë jashtë vëmendjes parimet bazë të konsoliduara në Kartën e Kombeve të Bashkuara që kërkojnë “standardet më të larta të efektshmërisë, kompetencës dhe integritetit” në punën e Organizatës. Jam i angazhuar të nxis kulturën e etikës dhe të përgjegjshmërisë në Kombet e Bashkuara për të treguar që ne i përgjigjemi plotësisht të gjithë shteteve anëtare dhe publikut në përgjithësi. I vetëdijshëm për pritshmërinë e lartë që bota ka për Kombet e Bashkuara, unë do të ushtroj të gjitha kompetencat e mia për të përmbushur këtë vizion të efektshmërisë në të gjitha përpjekjet tona, duke rritur aftësitë tona për prioritetet e përbashkëta. Kolegët e mi dhe unë që kemi vazhduar këtë mision, jemi të gëzuar të dimë se Kombet e Bashkuara mund të mbështeten tek udhëheqja, angazhimi dhe mbështetja e Shqipërisë.

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Hërst Këler:

“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ju shpreh Juve dhe popullit shqiptar, edhe në emër të bashkëatdhetarëve të mi, urimet e mia më të përzemërta. Në prill të vitit të kaluar, Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe së shpejti do të bëhet anëtare e Aleancës. Kjo ngjarje historike i miraton përparimet në procesin e reformave, të cilat ka shënuar vendi Juaj. Gjermania do të vazhdojë të shoqërojë si partner hapat e mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik.Ju uroj Juve dhe popullit shqiptar fat të mirë dhe mbarëvajtje”.

Presidenti i Federatës Ruse, Dmitri Medvedev:

“Pranoni urimet e sinqerta me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Ditës së Flamurit. Jam i bindur se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë të mbështetura në traditat historike, do të zhvillohen edhe më tej për të mirën e popujve tanë, do të ndihmojnë forcimin e paqes dhe stabilitetin në kontinentin europian. Ju uroj, zoti President, Juve dhe gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë mirëqenie, mbarëvajtje dhe suksese!”

Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl:

“Kam një kënaqësi të veçantë që menjëherë pas vizitës së Shkëlqesisë Suaj në Turqi që na lumturoi së tepërmi, në emër të popullit turk dhe në emrin tim personal t’Ju shpreh urimet e mia më të mira për Festën Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Kam bindjen e plotë se marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimi i mbështetur në lidhjet e përbashkëta kulturore dhe njerëzore me rrënjë të thella historike midis vendeve tona do të fuqizohen në çdo fushë në të ardhmen dhe se do të vazhdojnë të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin rajonal. Kjo bindje u forcua edhe më shumë gjatë vizitës frytdhënëse që bëtë në vendin tonë. Turqia do të vazhdojë të jetë pranë Shqipërisë motër në rrugën e saj për demokraci, zhvillim dhe integrim me institucionet europiane dhe euro-atlantike. Duke përfituar nga ky rast, përsëris urimet e mia më të sinqerta për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe për begatinë e mirëqenien e popullit mik shqiptare”.

Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Xhintao:

“Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, në emër të popullit kinez dhe në emrin tim personal, Ju shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të vendit tuaj përshëndetje të përzemërta dhe urime të mira. Midis popullit kinez dhe popullit shqiptar ekziston një miqësi e fortë tradicionale. Vitet e fundit marrëdhëniet dypalëshe kanë patur zhvillim të mbarë dhe në bashkëpunimin midis dy vendeve tona në fusha të ndryshme janë arritur suksese të shumta. Me rastin e 60-të vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve vitin e ardhshëm, unë shpreh dëshirën që të bëj përpjekje së bashku me Shkëlqesinë Tuaj për të nxitur më tej zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit miqësor midis Kinës dhe Shqipërisë nga pikënisje të reja, mbi bazën e parimeve të respektit reciprok dhe barazisë me interes të ndërsjellë”

Presidenti i Polonisë, Leh Kazinski:

“Jam i bindur se reformat që po realizohen në Shqipëri do të forcojnë kursin euroatlantik të vendit tuaj, si dhe do të sjellin rritje ekonomike dhe begati për qytetarët. Besoj se bashkëpunimi mes Polonisë dhe Shqipërisë për integrimin europian dhe intensifikimin e shkëmbimeve tregtare do të sjellë afrimin e mëtejshëm të dy shoqërive tona, do të sjellë forcimin e bashkëpunimit dypalësh, ç’ka në fund të fundit do të reflektojë rritjen e mirëqënies së qytetarëve të dy shteteve tona”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›