Duka: Përse insistoj për ngjarjen e Azerbajxhanit
Departamenti i Arbitrimit në FIFA, i përgjigjet kontestimit të FSHF-së për miqësoren në Baku
“… Eshtë më shumë sesa i rëndësishëm fakti që nuk duhet kurrsesi të mendojnë, që me një vend të vogël si Shqipëria, mund të bësh çdo gjë. Jemi një skuadër me rezultate në rritje, një federatë anëtare në FIFA dhe UEFA me të drejtat dhe detyrimet tona, por si president i FSHF së nuk do të lejoja kurrsesi që një “regjim” i tillë, ose një trajtim i tillë në gjykim, të justifikonte pikërisht faktin se mund t’i bëhen padrejtësi një vendi të vogël, dhe konkretisht Shqipërisë…”
Nga Gerti ÇarçaniDuket se gjeorgjiani Lasha Silagava dhe asistentët e tij do ta kenë pak pisk, në drejtim të asaj që prodhuan në miqësoren e fundit ndaj Azerbajxhanit. Dhe kjo vetëm për një fakt: Të mos instalohet, ose më saktë, të ndryshojë mendimi se Shqipëria është, dhe ka pak peshë. Jo. Këtë e konfirmon vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Pak orë para nisjes së tij për në Gjenevë, në një mbledhje të komisionit ku dhe merr pjesë, Duka ndalet për një moment edhe te problemi i çuarjes deri në fund të çështjes së arbitrimit në miqësoren me Azerbajxhanin: “Pa asnjë diskutim, duke respektuar rrugën e duhur dhe komisionin përkatës, relatimi nuk ka munguar. Një miqësore ishte, por në thelb ajo që është më shumë sesa e rëndësishme, është fakti që nuk duhet kurrsesi të mendojnë që me një vend të vogël si Shqipëria mund të bësh çdo gjë. Jemi një skuadër me rezultate në rritje, një federatë anëtare në FIFA dhe UEFA me të drejtat dhe detyrimet tona, por si president i FSHF së nuk do të lejoja kurrsesi që një “regjim” i tillë ose një trajtim i tillë në gjykim, të justifikonte pikërisht faktin se mund t’i bëhen padrejtësi një vendi të vogël, dhe konkretisht Shqipërisë. Këtë nuk do ta lejoj kurrë, dhe jam i vendosur, së bashku me kolegët e mi, ta çoj deri në fund çështjen e analizimit të plotë të asaj që ndodhi në Baku në miqësoren me vendasit. Nuk është aspak e vërtetë që edhe në ndeshje zyrtare të mos kemi kërkuar të drejtën tonë, edhe për raste të gabimeve arbitrare, por miqësorja e Bakusë, e cila kaloi limitet e mundshme, më shtyn edhe më shumë të evitoj faktin se kundër Shqipërisë të veprohet kështu.” Duka, i cili ka nisur një letër jo të shkurtër në drejtim të Departamentit të Arbitrave në FIFA, pikën kryesore të kësaj nisme e lidh pikërisht me mosinstalimin e idesë, që kundër një skuadre në rritje të një vendi të vogël si Shqipëria, mund të bëhet çdo gjë. Jo. Pavarësisht se kanë kaluar ditë, presidenti i futbollit shqiptar nuk harron në asnjë moment, madje me shumë bindje deklaron se nuk e lë në mes këtë gjë. Dhe përgjigjja më e fundit ka mbërritur pikërisht dje, me anë të një përgjigjeje zyrtare nga Departamenti i Arbitrimit në FIFA, ku është marrë në konsideratë edhe kontestimi zyrtar i FSHF së në drejtim të treshes gjeorgjiane, dhe në mbledhjen më të afërt të këtij komisionit, kjo çështje do të jetë më rend dite. Edgar Strelcov, i këtij departamenti, e konfirmoi zyrtarisht dje këtë gjë. Megjithatë, Duka do të kërkojë deri në fund analizën e thellë të këtij rasti, pse jo, edhe mbajtjen e qëndrimit nga ana e komisionit përkatës, pikërisht për atë që treshja prodhoi në atë fushë. Ai kërkon të mos konsolidohet si mentalitet, pikërisht fakti që përballë është Shqipëria, pasi, sipas presidentit të FSHF së, edhe ajo ka vendin e saj, peshën e saj dhe njëherësh rolin e saj shumë aktiv në FIFA. Nuk janë të pakta rastet kur Shqipëria ka qenë në qendër të vendimeve arbitrare në dëm të saj. Rastet më të freskëta dhe më fatale për Shqipërinë janë goli i anuluar kundër Holandës në “Qemal Stafa” nga anglezi Ridli, që vetëm ai e di se pse e anulloi atë gol. Apo edhe në ndeshjen në Amsterdam me Holandën, nga vendimet e arbitrit izraelit. Kjo e fundit në Azerbajxhan ka kaluar çdo limit, duke detyruar Dukën të zbresë në pankinën e skuadrës shqiptare, ku thjesht prania e tij në fushë, përballë arbitrit, kishte domethënie. Por, edhe pse kanë kaluar ditë, ai rast nuk harrohet. Ndoshta inati i momentit ka rënë, por insistimi për të marrë një vendim, pse jo dhe një sanksion, vazhdon ende. Përballë janë edhe jo pak ndeshje të skuadrës kombëtare në eliminatoret e Botërorit. Prania e “gjeorgjianëve” të tjerë në gjykim tremb jo pak.
Premtimi i presidentit të FSHF-sëDuka: Do të ringremë kombëtaren olimpikePresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka premtuar ringritjen e kombëtares olimpike në Shqipëri. Duke folur përpara largimit për në selinë e UEFA s, në Nion të Zvicrës, kreu i futbollit shqiptar është shprehur se kjo përfaqësuese do të drejtohet sërish nga trajneri Ari Han, dhe do të përfshijë futbollistët e rinj në moshë, kandidatë për në ekipin kombëtar. Sipas informacioneve pranë FSHF-së, lojtarët do të jenë kryesisht talente të shpërndara nëpër botë dhe ata që kanë spikatur më shumë në kampionatin shqiptar. Turneu i parë i kombëtares olimpike do të jenë Lojërat Mesdhetare të Peskarës, në vitin 2009.J.M.
“Legjionarët”Lala, operacion i suksesshëmKapiteni i kombëtares, Altin Lala, e ka përfunduar me sukses operacionin në hernien diskale. Ky lajm është bërë i ditur nga klubi i Hanoverit. 32-vjeçari vuante prej disa javësh nga hernia diskale dhe ky operacion do ta lërë atë për 6 javë larg fushave. Mesfushori i kombëtares pritet të rikthehet në stërvitje për skuadrën e tij në fillim të muajit janar, ndërkohë që ai shpreson se do të jetë i gatshëm për ndeshjen eliminatore me Maltën, që do të luhet më 11 shkurt.
Cana: Luajtëm mirë, mund të fitonimKapiteni i Marsejës, Lorik Cana, është i zhgënjyer për humbjen 1 0 ndaj Liverpulit në “Anfield Road”, kjo nisur nga paraqitja e mirë që bëri ekipi francez në pjesën e dytë. “Jemi shumë të mërzitur pas këtij eliminimi, megjithatë mendoj se luajtëm mirë. Në të dy ndeshjet kemi pasur mundësi, jo vetëm të mos humbisnim, por edhe të fitonim. Këtë herë, portieri ynë Mandanda pati shumë pak punë. Të humbasësh 1 0 është e rëndë,”- deklaroi Cana për mediat franceze.
Han në Kinë, shikon Nevil DedenTrajneri i kombëtares, Ari Han, ndodhet aktualisht në Kinë dhe para pak ditësh ka ndjekur takimin Bejing-Ginde, ku me këtë të fundit aktivizohet ish-mbrojtësi i kombëtares, Nevil Dede. Holandezi i kombëtares kuqezi, mësohet se është interesuar te menaxheri i ekipit kinez për gjendjen e Dedes.
Bogdani, problemet nuk kanë fundSulmuesi i kombëtares, Erion Bogdani, vazhdon të vuajë nga problemet muskulore. Sipas mediave italiane, shqiptari do të mungojë në ndeshjet e kësaj jave, që Kievo ka me Udinesen në “shtëpi”. Këtë sezon, 31 vjeçari nuk ka shënuar asnjë gol, edhe pse është një ndër të besuarit e trajnerit Di Karlo.