Festa e krijimit, Izraeli feston 60-vjetorin
Në mbarë Izraelin u zhvilluan dje aktivitete për të festuar 60-vjetorin e krijimit të shtetit. Për festimet u hodhën fishekzjarrë, u organizuan koncerte ndërsa familjet izraelite përgatitën piknikë në ditën e festës kombëtare. Izraeli u vetëshpall shtet i pavarur më 14 maj 1948, tre vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vdekjes së 6 milionë hebrenjve gjatë Holokaustit. Por palestinezët e njohin ditën e krijimit të Izraelit su al-Nakba ose "Katastrofa". Ata marshuan në mënyrë solemne në Bregun Perëndimor, në marshe që simbolizojnë shpresën e refugjatëve palestinezë për t‘u rikthyer në fshatrat e tyre që tani janë brenda kufijve të Izraelit. Por Izraeli ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga koha e krijimit. Popullsia është rritur dhjetë herë, ekonomia dhe ushtria janë në pozita më të fuqishme nga ato që i kishin ëndërruar themeluesit e shtetit.