E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, gjoba me 35% të rrogës

Drejtuesit e Tiranës kanë vendosur të ndëshkojnë skuadrën pas dështimit në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në mbledhjen e zhvilluar dje, ndërmjet donatorëve, shefit të klubit, stafit teknik dhe futbollistëve në ambientet e "Hotel Tirana" janë marrë dy vendime: pezullimi pa afat i tre futbollistëve, (Klodian Duro, Endri Vrapi dhe Ervis Sina) si edhe masën me gjobë për të gjithë kontingjentin. Lojtarëve do t‘u mbahet 35 për qind e shumës së kontratës, e cila parashikohej në një klauzolë të veçantë për mosplotësimin e objektivave në kampionat dhe Kupë. Ndërkohë, arsyeja e pezullimit të tre lojtarëve, të zëvendësuar në pjesën e dytë të ndeshjes së humbur 2-0 me Vllazninë, të cilët janë përfshirë edhe në një debat të ashpër me donatorin e dorëhequr Refik Halili, ishte mungesa e impenjimit. "Mbledhja ka sjellë dy vendime të rëndësishme: tre lojtarët e përjashtuar të mërkurën kanë marrë masën e pezullimit pa afat me motivin për mosimpenjim në ndeshjet e Tiranës", tha shefi i klubit, Edi Gjini. "Ky ishte vendimi i të gjithë donatorëve së bashku. Gjithashtu, e gjithë skuadra do të ndëshkohet me një gjobë prej 35 për qind të kontratës. Çdo lojtar ka në kontratën e tij një klauzolë ku theksohet qartë se do t‘u mbahet 30 për qind e pagës në rast se nuk fitojnë titullin kampion dhe 5 për qind në rast se nuk fitojnë Kupën e Shqipërisë". Drejtuesi i klubit, i emëruar vetëm pak muaj më parë në vend të Shkëlqim Muçës shkoi edhe më tej. Sipas tij, 35 për qindëshi bën që futbollistët të jenë debitorë ndaj klubit, pasi shuma është më e lartë se rrogat e tre muajve të fundit që bardheblutë duhet të marrin. "Duke qenë se Tirana ka dështuar në të dy trofetë, detyrimi i lojtarëve kundrejt klubit shkon në 35 për qind të pagës vjetore. Aktualisht, skuadra ka marrë pagat e nëntë muajve, por shuma prej 35 për qind të kontratës së secilit, është diçka më tepër sesa 3 muajt e fundit që lojtarët kanë për të marrë, shpjegoi ai. Në një farë mënyre, të gjithë futbollistët e Tiranës janë debitorë ndaj skuadrës, dhe duhet të kthejnë paratë që të plotësohet shuma e barasvlefshme me gjobën, që duhet të paguajnë për dështimet e këtij sezoni".

Një tjetër çështje e prekur në mbledhjen e djeshme, e cila është zhvilluar pa praninë e mediave, është folur edhe për fatin e trajnerit. Pas humbjes në finale, Sulejman Mema ishte shprehur i gatshëm për t‘u larguar nga detyra. Por, duke qenë se ai është tekniku i tretë i ulur në stolin bardheblu gjatë këtij sezoni dhe se nga mbyllja e kampionatit mungojë vetëm tri javë, u vendos që Mema të mos largohet. "Për trajnerin Mema do të diskutohet pas përfundimit të kampionatit", saktësoi Gjini.

Bardheblutë

2007-‘08, sezon largimesh dhe pezullimesh

Në vitin e katërt nën drejtimin e donatorëve, Tirana ka kaluar një prej periudhave më të këqija në historinë 88-vjeçare të klubit. Rezultatet më të këqija të regjistruara ndonjëherë dhe pasiguri absolute. Askush në skuadër nuk është ndier për një moment i qetë: sezoni ka filluar me largimin e trajnerit Starova vetëm pas tri javëve të para të Superiores. Pak kohë më vonë u pezullua pa afat të mbrojtësi Nevil Dede, i cili më pas është rikthyer në skuadër, ndërsa gjatë merkatos së janarit ka preferuar të transferohet në kampionatin kinez. Përpara mbylljes së vitit 2007 nga skuadra u përjashtuan Oriand Abazaj dhe Eldorado Merkoçi. Me pezullimet e Duros, Vrapit e Sinës, numri i lojtarëve ndaj të cilëve janë marrë masa shkon në gjashtë. Ndërkohë, në sezonin e turbulluar të 23 herë kampionëve regjistrohen edhe largimi i shefit të klubit, Shkëlqim Muça dhe qëndrimi për 14 javë në krye të ekipit, i teknikut Astrit Hafizi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›