E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e ndërrimit të viteve, 150 raste urgjence në Tiranë

 

TIRANE - Incidentet e ndryshme, kryesisht ato rrugore dhe dëmtimet nga fishekzjarrët, kanë shënuar edhe këtë radhë, gjatë periudhës ndërrimit të viteve numrin më të madh të "viktimave". Të dhënat për situatën e sigurisë gjatë festave janë bërë të ditura nga burime të Spitalit Ushtarak në kryeqytet, si dhe nga Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Por veç "viktimave" të aksidenteve apo fishekzjarrëve, nuk kanë munguar të dëmtuarit nga konfliktet e ndodhura në lokalet e Tiranës gjatë natës së ndërrimit të viteve, apo rastet e dëmtimeve të shkaktuara nga aksidente të tjera, si rënie nga lartësitë. Në total në Spitalin Ushtarak dhe në atë Civil, janë shënuar gjithsej 9 raste të dëmtimeve dhe plagosjes së personave nga përdorimi i pakujdesshëm i fishekzjarrëve. Sipas burimeve të Spitalit Ushtarak, në urgjencën e këtij institucioni janë paraqitur 5 raste të kësaj natyre, ndërsa në spitalin "Nënë Tereza", janë paraqitur 4 raste të dëmtimit me fishekzjarrë. Në tri raste, të dëmtuarit kanë qenë fëmijë ndërsa në pjesën tjetër mosha të ndryshme. Sipas mjekëve, Median Xhaferri dhe shefit të Traumës, Fatos Olldashi, deri dje në mbrëmje që prej datës 31 dhjetor në Spitalin Ushtarak janë paraqitur rreth 150 raste urgjencash. Më tepër se gjysma e të dëmtuarve, sipas të dhënave, kanë pasur plagë të shkaktuara nga aksidente të natyrave të ndryshme. Në total, sipas të dhënave, janë regjistruar rreth 20 raste politraumash, ndërsa rastet e tjera kanë pasur dëmtime dhe fraktura të llojeve të ndryshme. Në jo pak raste, të dëmtuarit kanë pasur plagë aksidentesh automobilistike, të ndodhura në Tiranë apo në rrethe të tjera. Në 13 raste, të dëmtuarit kanë pasur trauma dhe politrauma të shkaktuara për shkak të rënies nga lartësitë. Sipas Olldashit, gjatë gjithë periudhës që prej datës 31 dhjetor të vitit që sapo u mbyll, deri ditën e djeshme, ka pasur grupe mjekësh në gatishmëri, për të përballuar çdo rast emergjence.    d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›