Korçë, plumb në kokë emigrantit
KORÇE/ DURRES
Ekzekutohet emigranti në Korçë, burri i sapokthyer nga Greqia vret gruan në Durrës, ndërsa nënë e bir vrasin për pronësi në Peqin. Këto janë tre ngjarjet më të rënda që u regjistruan në dosjet kriminale të policisë në ditët e festës së fundvitit. Burime të policisë bënë të ditur se janë duke hetuar këto krime, ndërsa deri më tani janë arrestuar autorët e ngjarjes së ndodhur në Durrës dhe Peqin. Për nga mënyra e ekzekutimit dhe pista në të cilën është përqendruar hetimi, vrasja e ndodhur në Korçë është cilësuar e tipit mafioz. Pëllumb Çollaku u gjet i vrarë në anë të rrugës Korçë-Voskopojë. Disa kalimtarë gjetën trupin e pajetë dhe të ngrirë të shtunën e kaluar. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa nuk iu desh shumë kohë për të identifikuar kufomën, pasi familjarët e 24-vjeçarit kishin denoncuar zhdukjen e tij tetë ditë më parë. Sipas policisë, hetimet janë bazuar në të kaluarën e viktimës. Ai kishte qenë i dënuar për trafik droge në Greqi. Dy muaj më parë, pasi ishte liruar nga burgu, 24-vjeçari u kthye në Korçë. Por sipas hetimeve paraprake, ditët e qëndrimit në vendin e lindjes kishin qenë të trazuara për të. Familjarët deponuan se persona të panjohur për ta e kishin kërkuar disa herë djalin e tyre, por ai i evitonte takimet. Dyshohet se ekzekutimi i tij ka qenë rrjedhojë e pazareve të prishura apo e tradhtisë ndaj bashkëpunëtorëve në rrjetin e trafikut të drogës. Këta të fundit dyshohet se kishin frikë se shoku i tyre mund të kishte bashkëpunuar me drejtësinë. Kjo për shkak se Çollaku ishte dënuar me 12 vjet, por pasi bëri 5 vjet burg, ai u la i lirë nga pala greke. Emigranti, sipas policisë, është ekzekutuar me një plumb në kokë dhe tre të tjerë në trup. Një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua më 30 dhjetor në Durrës. Emigranti i sapokthyer vrau me thikë gruan për xhelozi. Nëna e pesë fëmijëve, Xhumahe Sula, 52 vjeçe banuese në Manëz, gjeti vdekjen vetëm pak minuta pasi u qëllua me armë të ftohtë në pjesën e kraharorit. Mësohet se Arif Sula, 57 vjeç ishte kthyer nga Greqia për të festuar Vitin e Ri me familjen, por ekzekutoi nënën e fëmijëve të tij. Ai u vetëdorëzua pas krimit të kryer. Familja Sula ishte shpërngulur disa vite më parë nga fshati Xibër i Matit në Durrës, në kërkim të një jete më të mirë. Policia bëri të ditur se në momentin kur bashkëshortët janë konfliktuar, asnjëri prej fëmijëve nuk është ndodhur në shtëpi. Ndërkohë, më 3 janar një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Karinë të Peqinit. Nënë e bir ekzekutuan një 59-vjeçar. Sipas policisë, Nuhi Zeka, është qëlluar me kallashnikov, nga 58-vjeçarja Shyqrije Zeka dhe djali 28-vjeçar Hamdi Zeka. Sipas hetimeve, dyshohet se ngjarja të ketë pasur si shkak pronësinë.