Viti i Ri, 150 të dënuar festë në familje
Festa e ndërrimit të viteve ka dërguar në shtëpi 150 të burgosur. Shifra pohohet nga kreu i Burgjeve shqiptare, Gaz-mend Dibra, sipas të cilit, stafi i burgjeve është kujdesur për të mos u munguar ambienti festiv edhe atyre personave që kanë kaluar këtë festë pas hekurave të qelive. Sipas Dibrës, të gjithë burgjet e vendit kanë dhënë leje për Festën e Vitit të Ri ndërsa mbrëmjen e djeshme krerët e këtyre institucioneve kanë pohuar se të gjithë të dënuarit janë kthyer në qeli përpara skadimit të afatit. Ndërkohë Drejtoresha e Burgut 325 në kryeqytet, Irena Çela, tha mbrëmë se për festën e fundvitit kishte firmosur 40 leje shpërblyese për gra dhe burra që vuajnë dënimin në këtë institucion. Sipas saj, vetëm dy gra nuk ishin kthyer në qeli deri mbrëmjen e djeshme, njëra është 76-vjeçarja nga Fieri, Feride Bako dhe 22 vjeçarja nga Tropoja, Aurora Breçani, leja e së cilave skadon mbrëmjen e sotme. Drejtori Dibra pohoi dje se gjatë dy ditëve të fundit të vitit, më datë 30 dhe 31 dhjetor, të gjithë burgjet kanë lejuar takime të të burgosurve me familjarët e tyre deri në orën 22:00 të mbrëmjes, duke lejuar gjithashtu futjen e ushqimeve tradicionale nëpër qeli, si gjela deti dhe ëmbëlsira. Kurse disa prej institucioneve të vuajtjes së dënimit pohojnë se u kanë ofruar të dënuarve birrë pa alkool, si dhe kanë përmirësuar normën ushqimore. fa.ma.