Festa kombëtare e pavarësisë dhe e çlirimit, krerët e shtetit zhvillojnë homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”

“Flamuri për të cilin luftuan mijëra shqiptarë, ecën i sigurtë dhe krenar për t’u valëvitur përkrah flamurit të Bashkimit Evropian”
Shqipëria ka kremtuar sot ditën e pavarësisë dhe të çlirimit. Krerët më të lartë të shtetit, si kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe përfaqësues të politikës zhvilluan sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Në këtë ditë të shënuar, për mbarë kombin, kryeministri Berisha, vendosi një kurorë lule dhe bëri homazhe pranë Memorialit “Nënë Shqipëri”. Shefi i ekzekutivit shprehu nderimin më të madh për të gjithë të rënët, duke vlerësuar se, sot është ditëlindja e kombit, është dita e nderimit më të madh për Ismail Qemalin dhe burrat e mëdhenj të kombit, që themeluan Shqipërinë e pavarur, pas përpjekjesh të mëdha dhjetëra vjeçare, në vitin 1912, në Vlorë. “Sot është dita e nderimit të madh dhe përuljes me nderimin më të madh ndaj qindra e mijëra luftëtarëve shqiptarë, në veçanti, të kryengritjeve gjigande të Kosovës, të cilat tronditën përfundimisht të sëmurin e Bosforit dhe bënë të mundur pavarësisë e Shqipërisë”, tha Kryeministri.
Kryeministri theksoi më tej se asgjë nuk mund të errësojë këtë faqe të ndritur të historisë. “Ata të cilët shkelmuan idealet e tyre dhe vendosën në Shqipërinë e pasluftës regjimin më barbar që kohërat kanë njohur, kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë, ndërsa luftëtarët e lirisë, shokët e shoqet e tyre që u martirizuan në luftë, janë dhe do të mbeten të nderuar për jetë, për sakrificën dhe kontributin e tyre”, vijoi ai.
Më tej, Berisha nënvizoi se të gjithë kremtojnë festën e madhe të kombit, ditëlindjen e kombit, kremtojnë heroizmin, luftën, përpjekjen e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, më të lirë, më krenarë se kurrë në historinë tonë.
“Flamuri i Skënderbeut, flamuri për të cilin luftuan qindra e mijëra luftëtarë shqiptarë në kryengritjet e mëdha dhe që bënë Shqipërinë të pavarur, flamuri për të cilin mijëra e mijëra djem e vajza shqiptare ranë në Luftën e Dytë Botërore, valëvitet krenar në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës më të fuqishme të kohërave, ecën krenar dhe i sigurt drejt flamurit të Bashkimit Europian. Pra, sot kemi njëmijë e një arsye për t’u shprehur atyre që sakrifikuan për këto ditë, nderimet më të mëdha”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë shtoi më tej se shqiptarët kremtojnë ditën e pavarësisë dhe të çlirimit, në prag të 8 dhjetorit. “8 dhjetori ishte dita tjetër e madhe e lirisë, e cila bëri të mundur që ne të rifitojmë lirinë, dinjitetin, dita që shembi Murin e Berlinit në Tiranë, dita që hapi dyert e një marshimi fitimtar të shqiptarëve drejt NATO-s, drejt BE-së, drejt një të ardhmeje të shkëlqyer. Zoti e bekoftë flamurin dhe kombin tonë”, u shpreh kryeministri i vendit Sali Berisha.
Berisha zhvillon vizita në familjet e të rënëve, me rastin e ditës së 28 nëntorit
Kryeministri Berisha, në vijim të nderimeve për të rënët e kombit, në ditën e 28 nëntorit, zhvilloi një vizitë në familjen e Heroit të Kombit, Myslym Shyri dhe të Dëshmorëve të Atdheut, Dionis dhe Kleanthi Manastirliu.
Kryeministri Berisha, duke iu përcjellë pjesëtarëve të Familjes Shyri nderimet më të thella të tij, të qeverisë dhe të të gjithë shqiptarëve, për veprën e pavdekshme të Komisarit të Batalionit të dytë, Heroit të Popullit Myslym Shyri, vlerësoi se ai ishte një nga luftëtarët më trima në luftën çlirimtare të kombit shqiptar, i cili ju jep nder familjes së tij, Tiranës dhe çdo shqiptari, me veprën dhe sakrificën e tij sublime.
Ndërsa gjatë vizitës në familjen Manastirliu, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e madh të kësaj familjeje në luftën çlirimtare, me angazhimin e të gjithë anëtarëve të saj, nga ku, dy prej tyre, Dionisi dhe Kleanti, ranë në këtë luftë në vitin 1944, duke u shpallur Dëshmorë të Atdheut.
Kryeministri theksoi se sakrifica e bijve të familjes Manaslirliu do të ndrisë gjithmonë, ideali i lirisë, ideali për të cilin ata sakrifikuan, sot është në ndërtim e sipër, më i lirë se kurrë dhe më shpejt se kurrë.“Ne jemi krenar me ju dhe ndihemi shumë të obliguar që të mund të shndërrojmë plotësisht në realitet idealin e tyre. Familja juaj ka një sakrificë të madhe në themelin e lirisë dhe dinjitetit të kombit, ndaj ata do të jenë gjithmonë të nderuar”, tha Kryeministri Berisha.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uron shqiptarët për festën e Flamurit
Në një aktivitet të organizuar nën kujdesin e saj për ditën e Flamurit,
Kryetarja e Kuvendit tha se festat e këtij nëntori e gjejnë Shqipërinë gjithmonë e më pranë aspiratës kombëtare të integrimit në BE.
“Më 28 Nëntor 2009 ne nderojmë sakrificën e virtytin e bijve të shqipes ,
kujtojmë 28 Nëntorin 1443, 28 Nëntorin 1912 e deri më sot, për të ardhur në
përvjetorin e këtij viti. Një vit përpara kur kujtonim dhe festonim 28 Nëntorin, ditën e Flamurit, Shqipëria nuk ishte anëtare e NATO-s, sot Shqipëria është anëtare e NATO-s.
Në 28 Nëntor 2008, Shqipëria nuk kishte ok për kërkesën e saj për statsuin
e vendit kandidat, sot në 28 Nëntor 2009, Shqipëria është pranuar në
kërkesën e saj. Ne e dimë që në shekuj shqipet për vetë natyrën e tyre fluturonin të
pashoqëruara. Kështu ishte dhe kur Princi i lirisë Skënderbeu luftonte për
bashkimin e shqiptarëve, për ti orientuar drejt perëndimit.
Kështu ishte në 28 Nëntor 1912, kur plaku i Vlorës bashkoi përsëri burrat
dhe ngriti lart flamurin shqiptar. Sot shqipet nuk fluturojnë më të
pashoqëruara, sot ato janë bashkë në Evropë. Në çdo qelizë të atij flamuri të kuq, të cilit ne i këndojmë dhe para të cilit, përulemi, ne lexojmë sakrificën, ne lexojmë virtytin.
Në këtë flamur ne lexojmë sesi shqipja jonë na ka mbajtur fort bashkë, sesi
familja jonë e fortë na ka mbajtur bashkë, sesi virtyti, virtyti i
shqiptarëve na ka bërë që Shqipëria sot të jetojë kohët më të bukura, me
rritje ekonomike, me ëndërr evropiane, me projekte evropiane, duke qenë pjesë
e Aleancës më të madhe Euroatlantike”, përfundon urimi i kryetares së Kuvendit me rastin e festave kombëtare të pavarësisë dhe çlirimit.