Pavarësia, festë madhështore edhe në Prishtinë, flamuri kuq e zi “pushton” rrugët e kryeqytetit dhe ballkonet e shtëpive
“Qytetarët zëvendësojnë flamurin gjigand të Kosovës, me atë kombëtar”
Festa e pavarësisë po kremtohet sot edhe në kryeqendrën e shtetit të Kosovës, Prishtinë. Një numër i madh i flamujsh me shqiponjën dykrenare por dhe të shtetit të ri janë vendosur në rrugët e Prishtines. Duke mbizotëruar flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare, shqiptarët e Kosovës tregojnë edhe njëherë se simboli i tyre shpirtëror është pikërisht flamuri i kombit, me të cilin si Shqipëria përfshi dhe Kosovën 97 vjet më parë shpalli pavarësinë. Dhe festimet më së shumti janë përqendruar në sheshin “Nënë Tereza”, të organizuara nga një rrjet organizatash jo qeveritare nga të gjitha trevat shqiptare, në mesin e të cilave edhe lëvizja kosovare “Vetvendosja”. Gjithashtu, janë planifikuar koncerte, panaire dhe ekspozita fotografish.
Keto organizata ndër të tjera kanë vendosur edhe parulla ku janë të shkruara emra qytetesh, si p.sh Mitrovica, Janina, Tuzi apo Presheva, në të cilat sipas organizatorëve nuk ekzistojnë mundësi të festimit të 28 Nëntorit.
Në shesh ndodhet dhe një parrulle e madhe me fjalet “Jemi Një”. Përveç kësaj, një gjë tjetër që ka rënë sot në sy, eëhtë edhe zëvendësimi i flamurit gjigant të Kosovës me atë kombëtar që kohë më parë ishte vendosur nga Komuna e Prishtinës në të dalë të Pishtinës. Në vendosjen e flamurit të Kosovës kishin marrë pjesë edhe zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa sot Komuna bën të ditur se nuk e kanë zëvendësuar zyrtarët e saj flamurin e kosovës me atë kombëtar, kuq e zi.