E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa pagane “Dita e Verës”, Elbasani kryeqendra e Shqipërisë dhe shqiptarëve për një ditë

14-03-2012 / Gazeta 55

Mijëra qytetarë nga i gjithë vendi dhe trevat shqiptare jashtë kufijve, po marrin pjesë në kremtimin e festës pagane të ndërrimit të stinëve, ikja e dimrit dhe ardhja e verës


Elbasan - Atmosfera e natës së verës nisi që mbrëmjen e djeshme, me perëndimin e diellit. Sheshi "Gensher" i qytetit ishte mbushur plot me qytetarë elbasanas, të cilët kishin lënë shtëpitë e tyre rreth orës 19.00 të mbrëmjes. Grupi "Elita 5", Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, këngëtarja Englantina Toska, gjallëruan Natën e Verës nën tingujt e muzikës dhe valleve popullore të trevave të ndryshme. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini,duke u ngjitur në skenën e ngritur me këtë rast, uroi qytetarët e Elbasanit si edhe mysafirët e ardhur nga qytete të ndryshme për të festuar këtë ditë të shënuar në qytetin e luleve. Ndërkohë, pas koncertit të madh në qëndër të qytetit, shumë qytetarë iu drejtuan lokaleve ku kanë qenë të ftuar këngëtarë me zë si Petrit Lulo, Greta Koçi, etj. "Dita e Verës" është festë e përtëritjes së natyrës, e vazhdimësisë së jetës, me prejardhje pagane. Në Elbasan është bërë festë popullore e mbarësisë familjare, e festuar nga të gjithë pa dallim. Festohet më 14 Mars, pikërisht kur mendohet se ka filluar mbirja e bimësisë tradicionale si karakaftet dhe manushaqet.


Kryeministri Berisha


Kryeministri Berisha ka zgjedhur Elbasanin për të festuar Ditën e Verës. I shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy mbesat e tij, kryeministri Berisha ka vizituar panairin e Ditës së Verës. “Kjo festë festohet sot në mbarë Shqipërinë, por e shpall Elbasanin kryeqytet të shqiptarëve. Ju keni meritën e jashtëzakonshme ta keni ruajtur këtë traditë dhe në çdo kohë festuat së bashku me miqtë tuaj nga mbarë Shqipëria, Ditën e Verës, ditën e gëzimit, ditën që fillon stina e bukur e pranverës plot ëndrra dhe besim”- u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit, pjesmarrja e shumë firmave në panair është dëshmi e qartë e rritjes ekonomike në vend. “Ne festojmë sot Ditën e Verës në Elbasan dhe besoj se jeni dakord kur them se e festojmë më mirë se kurrë në historinë tonë. Festojmë më mirë se kurrë sepse arritëm 100 vjet shtet i pavarur dhe arritëm në këtë 100 vjetor si qytetarë të lirë kudo që jetojmë. Festojmë më mirë se kurrë sepse sot ne lëvizim të lirë në mbarë Evropën, si qytetarë evropianë. Festojmë më mirë se kurrë sepse në një stuhi të fuqishme ekonomike, në një krizë të thellë shumëplanëshe që ka pllakosur ekonomitë e Evropës dhe të botës, ekonomia shqiptare mbetet edhe në vlerësimin më serioz të bërë vetëm tre ditë më parë, ekonomi e qëndrueshme, ekonomi që rritet, ekonomi që krijon vende pune, ekonomi që rrit gjithnjë e më shumë prodhimin. Ne festojmë më mirë se kurrë sepse në rast se në 4 vitet e fundit, ligji dhe rregulli në mbarë Evropën ishte ulja e rrogave dhe pensioneve, Shqipëria ishte përjashtimi. Shqipëria ia doli të rrisë rrogat dhe pensionet çka përbën një domosdoshmëri, por edhe një arritje shumë të madhe”- theksoi kryeministri. Gjithashtu Berisha premtoi se qeveria t’i ofrojë mbështjetje të fuqishme biznesit shqiptar. “Jam këtu gjithashtu për tu dhënë fjalën se qeveria do të mbështesë fuqimisht bashkinë për Kodrat e Krastës. Ato janë një bizhu e vërtet e Elbasanit, e këtij qyteti të mrekullueshëm, ndaj do të bëjmë gjithçka për ti shndërruar ato në një park të bukur për qytetarët, por edhe në një qendër të fuqishme turistike ditore të zhvillimit”- tha ai. Shefi i ekzekutivit ka marrë pjesë edhe në parakalimin tradicional të Karnavaleve, në sheshin e qytetit.


Kreu i LSI, Ilir Meta


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka uruar sot nga Antigonea në Gjirokastër të gjithë shqiptarët për Ditën e Verës. “Uroj festën e Ditës së Verës, e cila është kthyer në traditë për të gjithë shqiptarët”- ka theksuar Meta. Kreu i LSI, Ilir Meta iu përgjigj pyetjes së gazetarëve për  situatën politike duke theksuar se mungesa e dialogut politik i ka hequr marrjen e statusit kandidat për në BE, Shqipërisë. Ai gjithashtu ka kërkuar nga dy forcat kryesore politike në vend të arrijnë konsensusin politik për të bërë të mundur realizimin e reformave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›