E Diel, 1 Nëntor 2026

Së shpejti, Tirana me një ndërtesë që ka marrë duartrokitjet e ajkës së arkitekturës ndërkombëtare

14-03-2012 / Gazeta 55

Shpallet projekti fitues për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar. Duke u respektuar vendimi i jurisë profesionale, pritet nisja e ndërtimit të kompleksit me vlerë mbi 100 milionë euro

Studioja vjeneze COOPHIMELB (L) AU është studion fituese e cila do të ndërtojë kompleksin e ri parlamentar. Pas shumë diskutimesh, lidhur edhe me koston e ndërtimit, që studioja në fjalë e kishte më të lartë, komiteti shtetëror ka rënë dakord të pranojë vendimin e jurisë ndërkombëtare e cila shpalli si projektin fitues, Maketin 11022 T, i paraqitur nga studioja COOPHIMELB (L) AU.
Në konkursin për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar u ftuan 25 studio dhe paraqitën maketet (projekt-idetë), 14 studio, ndër më prestigjiozet në botë.
Pas konsultimeve, rreth një muaj me publikun dhe votimit të publikut në ueb-sitin e Kuvendit të Shqipërisë, juria e kryesuar nga personaliteti i përmasave botërore, Hans Ibelings përzgjodhi 3 projektet fituese.
Diferenca e ofertës për projekt-zbatimin e firmës vjeneze, e shpallur fituese nga juria, dhe vendit të dytë, firmës italiane, është rreth 4 milionë euro. Diskutimi u përqendrua te dy vendet e para, pasi firma e tretë franceze “Ama Architecturë” kishte ofertë më të lartë se dy të parat. Oferta fillestare e vendit të parë ishte, 80 milionë euro, e vendit të dytë 70 milionë euro, ndërsa e vendit të tretë 96 milionë euro. Anëtarët e komitetit, vendosën në unanimitet për t’i hapur rrugë firmosjes së kontratës mes Kuvendit të Shqipërisë dhe firmës vjeneze për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli theksoi se Parlamenti i ri do të jetë një monument i demokracisë.
“Ky është një vendim i rëndësishëm për përzgjedhjen e monumentit të demokracisë. Është ky komitet që do të bëjë përzgjedhjen e projektit fitues. Siç është bërë e ditur në konkursin për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar u ftuan 25 studio dhe paraqitën maketet (projekt-idetë), 14 studio, ndër më prestigjiozet në botë”, tha ajo.
Duke e cilësuar parlamentin e ri si një vepër madhore, Topalli theksoi se ai duhet të shprehi edhe simbolin e kombit përmes arkitekturës.
“Përse e quaj një monument i demokracisë? Pasi është vepër e trefishtë që do të plotësojë aspiratat e larta të demokracisë. Do të marrim një vendim të rëndësishëm për atë që do ta quaja zemra e demokracisë”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Kryeministri Berisha: Të respektojmë verdiktin e Jurisë
Kryeministri Sali Berisha ftoi dje anëtarët e Komitetit Shtetëror për Ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar, që të respektojnë vendimin e asaj jurie të paanshme, ndër të të përzgjedhurat dhe kompetente.
Sipas Kryeministrit nuk ka një motiv këtu për të mos respektuar atë vendim. “Jemi thirrur këtu për të shqyrtuar projektet e mrekullueshme të paraqitura nga studiot më prestigjioze të Europës për ndërtimin e saj, de-facto dhe de-juro është ndërtesa e parë e kombit. Ndërtesë e cila fatkeqësisht në 100 vite pavarësi nuk ndërtua dot. Por praktikisht kemi anën tjetër që në 100- vjetorin e pavarësisë kemi shansin për të vendosur për projektin më të mirë, më dinjitoz, për parlamentin e këtij shekulli”, ka shtuar Berisha.
Sipas Kryeministrit, “projektet e paraqitura japin zgjidhje të ndryshme, kërkesa vërtet funksione mjedisore të kompleksit parlamentar. Ato variojnë në çmime nga 49 në rreth 100 milionë euro. Mundësia e përzgjedhjes ka qenë shumë e madhe, por një juri vlerësuese ndërkombëtare mori një vendim, në mënyrën më të paanshme, më objektive më të pandikuar, më profesionale. Kjo juri përzgjodhi për të parën veprën e studios dhe arkitektit të njohur austriak Prix. Studio me ndërtimet ndër më mbresëlënëset për kohën  e sotme. Arkitektet e kësaj studioje kanë paraqitur këtu një projekt të shkrirë në mënyrën më harmonizuar si të sotmen edhe të së ardhmes. Ajo çka ka të veçantë Briks është orientimi drejt të ardhmes”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, “mungojnë përpjekjet për të negociuar me studion. Gjë që për shkak të kompleksitetit të projektit, studio e gjeti të pamundur, pasi bëri vlerësimet të zbriste nga shuma e kërkuar. Shumë që ndryshon është me një vlerë rreth 2.5 deri 3 milionë euro nga oferta e dytë. Vendimi është shumë i vështirë sepse kemi të bëjmë me një vlerësim ndërkombëtar të përbërë nga kolosët e fushës dhe të marrësh iniciativën që për një diferencë të tillë të marrësh funksionet e tyre, kjo nuk bëhet në botën e qytetëruar”, tha Kryeministri. “Do të kërkoja që të mendohej edhe një herë para se të vendosej. Në sensin që, përderisa në thelb ne vendosim pa asnjë arsye tjetër, përveç se një vlere të caktuar financiare, ku çdo qindarkë është e dhimbshme, por jo dhe aq për ndërtesën e parë të kombit. Kjo vlerë s’duhet të detyrojë këtë Komitet të marrë funksione që nuk i takojnë. Do të kërkoja një vetëpërmbajtje”, tha Berisha, duke shtuar se nuk gjej një shkak solid për të mos respektuar vendimin që ka marrë juria.

Kryebashkiaku Basha: Ndërtimi i veprës, rol për kryeqytetin
Kryebashkiaku, Lulzim Basha duke u ndalur pikërisht në një proces të tillë përzgjedhje vlerësoi faktin se “natyra e komisionit dikton vetëpërmbajtje në atë çfarë mund të shpreh unë si kryebashkiak. Ndaj theksoj se pjesëmarrja ime është honorifike”.
Megjithatë, në gjykimin e tij, ndërtimi i një vepre të tillë ka një rol të rëndësishëm për kryeqytetin dhe nga ana e Bashkia e Tiranës jep mbështetjen e saj për veprat që dinamizojnë vendin. “Ky është një projekt i hapur ndaj publikut, në harmoni me natyrën, që respekton eficencën e energjisë dhe ndërthur në vetvete elementë që do ta bënin krenar çdo qytet. Do të kishim dashur që në fazat e mëparshme të kishim pasur rol më aktiv, por nuk u bë e mundur dhe as uroj e as vajtoj për çfarë është bërë një vit më parë. Secili prej këtyre projekteve do të kishte interesin e plotë të qytetarëve të Tiranës”, vuri në dukje Basha.

Projekti fitues “COOPHIMELB (L) AU”

Projekti fitues paraqet sallën e Parlamentit duke reflektuar hapësirën bazë demokratike si sundimi i fuqisë së elektoratit, duke vendosur publikun mbi pjesëtarët e zgjedhur të Kuvendit pa i hequr të drejtën sallës së madhe, hollit që të jetë qendra metaforike dhe fizike e ndërtesës.
Niveli i parë i strukturës së projektit ka hyrje të shumta në holl, dhoma e byrosë së parlamentit, dy dhoma takimi për Kryeministrin, dhoma e madhe e takimit për grupin parlamentar dhe zonat e bollshme të recepsionit.
Pjesët publike të nivelit të hyrjes janë të gjitha të grupuara rreth hyrjes, ashtu si dhe lidhja vertikale publike në nivelin e galerisë, e cila do të akomodojë vizitorët dhe gazetarët për të ndjekur seancat parlamentare.
Niveli i dytë i strukturës kryesore përmban të gjitha funksionet me karakter përdorimi publik ose kolektiv, zona e restorantit për Kryeministrin dhe stafin, librari dhe arkiva, dy vende takimi për konferencat ndërkombëtare dhe zona të projektuara për të pritur konferencat e shtypit duke përfshirë dhe hapësira pune dedikuar gazetarëve.
Blloku i zyrave është organizuar rreth konit qendror prej pesë nivelesh me xham të sallës së parlamentit.
Niveli i tretë akomodon 13 dhoma takimi për komitetin parlamentar, si dhe zyra për kryetarët e tjerë që punojnë për këto pjesëtarë të komitetit. Zyrat për Kryeministrin, deputetët dhe departamente të ndryshme për administratën janë shpërndarë në katet 4 dhe 6.
Niveli i fundit i bllokut të zyrave është rezervuar për hapësira për kryetarin e parlamentit dhe deputetëve të tij: këshillin e ministrave, apartamenti përfaqësues i kryetarit të parlamentit dhe kryetarit të deputetëve.
Parkingu është dizenjuar ekonomikisht si një strukturë që është vendosur kryesisht mbi tokë, duke dhënë hyrje të brendshme direkte shërbimeve të parlamentit në nivelin e hyrjes.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›