E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat, 50 mijë lekë shpërblim për 500 mijë pensionistë

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Për të katërtin vit radhazi rreth 537 mijë pensionistë në fshat dhe qytet pritet të përfitojnë edhe këtë vit, pesë mijë lekë të reja shpërblim për festat e fundvitit. Burime pranë gazetës bëjnë me dije se Ministria e Financave pranon se edhe këtë vit patjetër që do të ketë shpërblim, madje specialistët e këtij institucioni po hartojnë udhëzimin që parashikohet ti dorëzohet Këshillit të Ministrave më datë 20 të këtij muaji.

Vendimi

Si çdo vit, pritet që lajmin për dhënien e këtij shpërblimi për moshën e tretë ta japë Kryeministri, Sali Berisha, në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë, që parashikohet të mbahet në dhjetëditëshin e fundit të këtij muaji. Në fakt, pensionistët edhe vitet e kaluara nuk kanë qenë dakord me masën e shpërblimin, duke pretenduar të shpërblehen njëlloj me administratën shtetërore, ku punonjësit si traditë çdo fundvit marrin nga 10 mijë lekë shpërblim.

Masa e shpërblimit

Duke qenë se vitin e kaluar efekti financiar i shpërblimit prej 5 mijë lekësh për të gjithë pensionistët arriti në rreth 27 milionë dollarë, mendohet që edhe këtë vit do të jetë një shifër e përafërt. Megjithatë, në rast se buxheti i ISSH-së nuk do të arrijë të përmbushë nevojat, atëherë do të ndërhyjë Ministria e Financave për të plotësuar fondin e nevojshëm për shpërblimin e pensionistëve. Nda sa mësohet paraprakisht, edhe pse udhëzimi është ende në proces diskutimi ka shumë gjasa që të përdoret e njëjta skemë e vitit të kaluar. Sipas kësaj skeme, pritet që të përfitojnë rreth 537 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Për të bërë të mundur dhënien e këtij shperblimi pritet që qeveria të miratojë një dekretligj, i cili do ti hapë rrugë procedurave të mëtejshme për shpërblimin e kësaj kategorie. Më pas do të jetë Kuvendi i Shqipërisë, i cili do të miratojë dekretligjin, që do ti hapë rrugën shpërndarjes së këtij shpërblimi. Pas miratimit të dekretligjit, do të nisë hartimi i listave të emrave dhe përgatitjes së urdhër-pagesave, që do të shpërndahen në zyrat e postes, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Mendohet që ky shpërblim të shpërndahet në 10 ditëshin e fundit të këtij muaji në mënyrë që të gjithë pensionistët të mund të marrin shumën prej 5 mijë lekësh, që pritet të jepet në formë shpërblimi.

Përfitimet e pensionistëve

Në vitin 2004 - Nano u akordoi pensionistëve nga 3500 lekë të reja për Vitin e Ri. Përfituan rreth 535 mijë pensionistë dhe kosto e qeverisë ishte 21 milionë dollarë.

Në vitin 2005 - E sapoardhur në pushtet, PD-ja vendosi të mos shpërblejë pensionistët, duke u mjaftuar vetëm me rritjen në fillim të vitit.

Në vitin 2006 - Berisha u akordon pensionistëve nga 5 mijë lekë të reja për Vitin e Ri. Përfituan 530 mijë pensionistë dhe kosto e qeverisë ishte 29.7 milionë dollarë.

Në vitin 2007 - Berisha u akordon për të dytin vit radhazi pensionistëve nga 5 mijë lekë të reja për Vitin e Ri. Përfitojnë 535 mijë pensionistë dhe kosto e qeverisë do të jetë 30 milionë dollarë.
Në vitin 2008- Berisha vendos ta mbajë të pandryshuar masën e shpërblimit të pensionistëve, në 50 mijë lekë të reja.

Ky lajm është publikuar: 09/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›