E Diel, 1 Nëntor 2026

Selami: Berisha e Rama do gjejnë rrugën e dialogut

Autori i Lajmit: Redaksia
Eduart Selami, kryetari i parë i Partisë Demokratike komenton aktualitetin politik në Shqipëri duke thënë se: “Tensionimi i situatës minon arritjet e demokracisë, në të cilën ka vend edhe për opozitën. Klasa politike shqiptare duhet ta ketë parasysh këtë dhe duhet të bashkëpunojë”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Selami është shprehur më tej se “pavarësisht acarimeve, Shqipëria ka ecur në rrugën e duhur”.
Zoti Selami ajo që filloi dikur si lëvizje studentore u shndërrua në lëvizje popullore në Shqipëri. Si i kujtoni ju ato momente?
Patjetër që janë nga momentet më emocionuese të jetës sime profesionale por janë edhe momentet mbase më progresive të historisë 100 vjeçare mbase të Shqipërisë. Kjo jo vetëm sepse ishte fillimi i fundit të diktaturës totalitariste por si të thuash ishte edhe një rikthim tek vlerat properëndimore të cilat ishin në mendjet e rilindësve kur projektuan shtetin e ri shqiptar në fund të shekullit 19. Në këtë aspekt unë mendoj se kjo ngjarje me të drejtë do të mbahet mend si një nga ngjarjet më progresive në historinë e Shqipërisë.
Tani pas 20 vjetësh zoti Selami, idealet e demokracisë së 19 viteve më parë si janë zbatuar në praktikë në Shqipëri. A kanë gjetur një zbatim real?
Mund të them në total se pavarësisht nga acarimet dhe si të thuash një skepticizëm, Shqipëria ka ecur në rrugë të drejtë me përjashtim të disa aksidenteve të cilat mund të ishin evituar. Kuptohet se akoma është një rrugë që nuk është e përfunduar. Drejtimi është i duhur dhe unë mendoj se Shqipëria shumë shpejt do ti bashkohet familjes evropiane. Pikërisht Shqipëria duke qenë anëtare e NATO-s pritet të ketë dhe të ndajë të njëjtat vlera.
Duket zoti Selami sikur në Shqipëri është keqkuptuar demokracia në aspektin që shikohet si një liri e pakufi dhe nga ana tjetër harrohet se edhe kjo demokraci funksionon sipas një sistemi rregullator. Desha ta lidh këtu me gjendjen aktuale të acarimit të klimës politike. Si e shikoni ju këtë?
Është një shqetësim i drejtë. Me të drejtë thuhet se demokracia nuk është forma më e lehtë, është forma më e mirë e qeverisjes dhe kërkon më shumë impenjim dhe strukturim të saj. Shteti ligjor pa diskutim që ka nevojë për zbatimin e ligjeve. Kur acarohet politika dhe kur acarohet jeta politike në Shqipëri, kuptohet se kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë minimizon edhe arritjet e demokracisë. Është për të theksuar se në demokraci ka vend për pozitën dhe opozitën, është si një shtëpi e përbashkët që siç thoshte Abraham Linkoln nuk mund të qëndrojë nëse nuk mbahet nga të dyja anët. Një shtëpi e ndarë nuk mund të qëndrojë ndaj në këtë aspekt unë mendoj se klasa politike shqiptare duhet të mbajë parasysh pikërisht këtë gjë. Ka nevojë për të dyja palët dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm.
Si mundet sipas jush të zgjidhet kjo situatë shpesh herë shumë e acaruar ku janë harruar edhe normat e etikës?
Mungesa e normave të etikës është një mungesë respekti për institucionet. Mbi të gjitha është një mungesë fokusimi për problemet reale që ka Shqipëria. Ata janë atje, rrugën konkrete do ta gjejnë. Pa një dialog, pa një bashkëpunim, pa një respekt reciprok ndaj forcave politike nuk mund të ketë një përparim të qëndrueshëm i cili i takon të gjithë shqiptarëve.
Zoti Selami ju keni qenë një protagonist i atyre ngjarjeve në Shqipëri 19 vite më parë dhe tani jeni një vrojtues i kujdesshëm. A shikoni optimizëm në ecurinë e Shqipëri?
Unë e kam thënë disa herë që optimizmi im është i vazhdueshëm dhe pavarësisht këtyre situatave unë përsëri jam optimist në të ardhmen e afërt dhe të ardhmen e largët të Shqipërisë. Mendoj se klasa politike shqiptare ka pjekurinë e duhur. Edhe në momente që duken më të errëta dhe që duken më konfrontuese, unë mendoj se do të gjendet gjuha e përbashkët sepse ky është interesi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.
Cilat i shikoni si sfidat më të rëndësishme në demokratizimin e institucioneve në Shqipëri?
Atë çka edhe komuniteti ndërkombëtar e ka theksuar dhe si të thuash edhe analistët e huaj që thonë se po merr kohë që Shqipëria të kthehet në një demokraci funksionale. Padyshim që ndarja e pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit është një nga problemet më të mprehta dhe më thelbësore të demokratizimit të Shqipërisë. Në këtë aspekt besoj se duhet treguar kujdes më i madh. Shqetësimi që ju ngritët, humbja e energjive për aspektin personal pikërisht këtë dëmton. Ky duhet parë si një zhvillim i brendshëm dhe bashkimi i Shqipërisë me Evropën do të vijë kur demokracia të ketë arritur pjekurinë e saj.

Ky lajm është publikuar: 09/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›