E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat, Bashkia e Tiranës vijon monitorimin e tregjeve

TIRANE- Task-Forca e Bashkisë së Tiranës ka vijuar punën që në orët e para të mëngjesit të sotëm me monitorimin e çmimeve në tri tregjet kryesore të qytetit. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Drejtoria e Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës, Policia Bashkiake, e mbështetur dhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, ka parë nga afër edhe sot çmimet e produkteve të shportës dhe atyre të fruta perimeve me qëllim parandalimin e abuzimit me to siç ka ndodhur vazhdimisht në vitet e shkuara. Nga monitorimi i bërë në tregje, Task-Forca nuk ka konstatuar abuzime me çmimet.

Gjatë dy ditëve të fundit Inspektorët e Tatim-Taksave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në sajë të informacionit të marrë nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, ka penalizuar disa biznese për mosafishim të çmimit apo shkelje të rregullave të tjera të vendosura nga tatimet.

Bashkia e Tiranës do të vijojë çdo ditë aksionin e saj në bashkëpunim me biznesin, Drejtorinë e Tatim-taksave dhe Drejtorinë e Doganave për t’i prerë rrugën çdo abuzimi me çmimin. Bashkia e Tiranës e ka bërë të qartë vazhdimisht se në asnjë rast nuk do të cënojë rregullat e tregut, por është e vendosur të mbrojë konsumatorët nga abuzimi. Për çdo rast abuzimi me çmimet Bashkia e Tiranës do të bëjë publike në media emrat e subjekteve dhe drejtuesve të tyre.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›