Homazhe për ish-gjeneralin e policisë Astrit Mehja
Homazhe për të nderuar 56-vjeçarin Astrit Mehja, ish drejtori i përgjithshëm i policies së shtetit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Mehja vuante nga tumori dhe 2 muajit i ka kaluar i mbyllur në shtëpi.
Në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit, aty ku u zhvilluan homazhet, familjarët, të afërmit, miqtë, kreu i qeverisë Sali Berisha dhe drejtuesit e policisë së shtetit i dhanë lamtumirën të ndjerit. Nga ana e tij, kryeministri Berisha tha se është ndarë nga jeta një njeri i përkushtuar ndaj punës dhe baba shëmbullor.
“Sot i japim lamtumirën njërit prej shërbëtorëve të përkushtuar të shtetit dhe të vendit, njërit prej drejtuesve të talentuar të policisë së shtetit kolonel Astrit Mehja. Me këtë rast ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të afërmëve të tij, të gjithë policisë pasi sot përcjellin në banesën e fundit një prind shembullor, një qytetar të shkëlqyer, një shërbëtor të ndershëm të vendit dhe shoqërisë shqiptare, një drejtues të talentuar të policisë së shtetit” është shprehur kryeministri Berisha.
Ndërsa kreu i shtetit Bamir Topi, në faqen zyrtare të presidencës ka ngushulluar familjen e ish kolonelit. “Më lejoni që, në këto momente të vështira për ju, t`ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të ndaj dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë! Humbja e Astritit, njërit prej drejtuesve më profesionistë e më të përkushtuar të Policisë së Shtetit, Astrit Mehja, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, miqtë e kolegët, për shtetin dhe për të gjithë shtetasit shqiptarë” thekson Topi.
Më tej në mesazhin e ngushëllimit, kreu i shtetit thekson se jeta dhe vepra e Astrit Mehjës është tregues i sakrificës dhe profesionalizmit, i cili me punën e tij dhe misionin e përditshëm e të vështirë, iu përkushtua mbrojtjes së rendit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Astrit Mehja ka mbajtur poste të rëndësishme në stukutrat e policisë. Ai ka qënë kru i përgjithshëm i uniformave blu, më vonë ish zvëndësministër o rendit dhe drejtori i polisë së qarkut Vlorë.