E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat, METE garanton: “Nuk do ketë ndërprerje të energjisë elektrike”



Ervin KOÇI

Qytetarët shqiptarë garantohen edhe këtë fundvitit se nuk do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike në ditët e ndërrimit të vitit. Lajmin pozitiv e bën të ditur Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e cila ka siguruar se ka marrë të gjitha masat për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të qytetarëve në festat e fundvitit. Në një konferencë për shtyp zëvendësministri i METE-s, Sokol Dervishaj, garantoi qytetarët se janë marrë të gjitha masat për të furnizuar pa ndërprerje me energji elektrike. Sipas tij, të dyja kompanitë si KESH-i ashtu edhe OST-ja janë në gatishmëri të plotë për festat e fundvitit. Gjithashtu Dervishaj shtoi se, është një hartuar edhe një plan masash për përballimin e ngarkesës duke theksuar se, “METE gjithashtu është në kontakt të vazhdueshëm edhe me CEZ-in”. Lidhur me këtë të fundit, Dervishaj kërkoi që kjo kompani të plotësojë me përpikëri detyrimet ndaj konsumatorit. Zëvendësministri Dervishaj bëri të ditur gjithashtu se, “gjatë vitit 2010 vendi ka pasur prodhimin më të lartë të energjisë, krahasuar me vitet e tjera, duke bërë që ky vit të ketë qenë shumë i mbarë në këtë fushë”.

Energjia elektrike
Zëvendësministri i Energjetikës, Dervishaj, garantoi qytetarët se janë marrë të gjitha masat për të pasur furnizim pa ndërprerje në çdo rast. METE i ka marrë të gjitha masat për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të qytetarëve në festën e fundvitit. Sipas Dervishajt, kompanitë KESH, OST-ë dhe “CEZ Shpërndarje” janë në gatishmëri të plotë për festat e fundvitit. “Të gjithë e kemi të qartë që situata nuk është ajo që të do të dëshironim të ishte. Ka problematika. Ka qytetarë që kanë mungesë energjie elektrike në shtëpitë e tyre. Ka komuna, ka fshatra, ka lagje në qytetet e Shqipërisë, të cilat po e përjetojnë mungesën e energjisë elektrike”,- ka deklaruar më tej numri dy i METE-s.
Por sipas zëvendësministrit Dervishaj, ministria po e monitoron këtë çështje me shumë vëmendje. “Jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe me Entin Rregullator të Energjisë, si institucioni më i specializuar apo me përgjegjës në lidhje me monitorimin e kontratës dhe funksionalitetin e CEZ-it”,- tha Dervishaj.

Situata
“Dua t’ju garantoj edhe njëherë se ky ka qenë një vit i mbarë për sektorin elektroenergjetik në Shqipëri”,- shtoi më tej Dervishaj. Sipas tij, këtë vit ka pasur edhe momente vështirësie, sikurse ishin ngjarjet e fillim vitit, por edhe ato të fundvitit, në rajonin e Shkodrës. Sipas tij, këto ngjarje janë përballuar nga kjo Ministri me një angazhim maksimal, jo vetëm në kuadër të Komitetit të Emergjencave, por në funksionin e kësaj ministrie për administrimin që ajo ka si detyrë të saj, nëpërmjet KESH-it, të kaskadës së Drinit, por edhe të prodhimit dhe të transmetimit të energjisë elektrike për qytetarët, konsumatorët dhe për bizneset në vend.

Remontet ne linja, sot Tirana ndërprerje energjie gjatë paradites

Ditën e sotme duke filluar që nga ora 09:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Tiranës . Drejtori i njësisë operative për Tiranën pranë OST-së, Sali Toçilla, deklaroi se ndërprerjet do bëhen për shkaqe sigurie pasi do të kryhen punime në linjën Kashar-Selitë. Ndërkohë që punimet në këtë linjë pritet që të përfundojnë brenda ditës. Me gjithë ndërprerjet e ditës së sotme, Operatori i Sistemit të Transmetimit bën me dije se janë marrë masa që për festat e fundvitit të mos ketë ndërprerje dhe të shmangen të gjitha problemet e mundshme.

Hidrokarburet, çdo shoqëri ka të drejtën e magazinimit në pontile

Portet e cilësuara si pika hyrëse për importet e karburanteve aktualisht punojnë vetëm me 11% të kapacitetit të instaluar. Ky është një vëzhgim i bërë nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve e cila konstaton se për vitin 2010, depozitat bregdetare të instaluara në portet e mësipërme kanë shfrytëzuar vetëm 8% të kapacitetit të tyre. Gjë që do të thotë se kanë kapacitete të lira për çdo periudhë të vitit. Në këto kushte, SHSHH-ja bën me dije se: a) Çdo subjekt shqiptar i licencuar në fushën e importimit dhe tregtimit të hidrokarbureve ka të drejtë të depozitojë, pa asnjë pengesë në këto depozita bregdetare.
b) Çdo subjekt shqiptar i licencuar në këtë fushë është i detyruar të paguajë vetëm koston e amortizimit të depozitave bregdetare, të përcaktuar ligjërisht. c) Çdo subjekt ka të drejtë të blejë çdo ditë, naftë apo benzinë, me çmimin e Bursës së Londrës dhe atë të deklaruar në agjencinë “Reuters” (lehtësisht të verifikueshme nga secila prej kompanive shqiptare të tregtimit të hidrokarbureve). d) Çdo ditë çmimi caktohet në varësi të këtyre treguesve, taksave doganore dhe shpenzimeve portuale të miratuara nga OSHA (Organi Shtetëror i Autorizuar). Shoqata vlerëson se vënia nën kontroll ligjor dhe sipas standardeve më të mira europiane të importit të karburanteve në dy vitet e fundit, ka sjellë jo vetëm një kontroll më rigoroz dhe të plotë të cilësisë së produkteve të importuara, por ka bërë që të rritet zhdoganimi për periudhën raportuese më shumë se 30 mijë ton benzinë dhe rreth 280 mijë ton naftë.

28 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›