E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet sërish procesi i Gërdecit, seancat do të rinisin në janar 2011



TIRANE – Ka dështuar edhe dje seanca e 14-të në ngarkim të të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Trupi gjykues nuk e zhvilloi seancën për shkak të mungesës së avokatëve të personave të vënë nën akuzë. Seanca e radhës do të zhvillohet në fillimin e vitit 2011. Gjatë javëve të fundit janë shtyrë me dhjetëra seanca për shkak të mungesës së avokatëve apo të gjyqtarëve. Por, shumicën e rasteve, motiv shtyrjeje kanë qenë mungesat e përfaqësuesve ligjorë të të pandehurve. Kjo është pjesë e strategjisë për shtyrjen e afateve të paraburgimit dhe nxjerrjen e personave të akuzuar nga qelia për tejkalim afatesh në gjykim.
Prokuroria ka akuzuar 28 persona dhe subjektin privat “AlbaDemil”, si person fizik, për shkaktimin e shpërthimit në fabrikën e çmontimit të fishekëve në periferi të Tiranës, më 15 mars 2008, ku gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Katër nga të akuzuarit, shtetasit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Sokol Gjeçi dhe Dritan Minxolli, po mbahen në gjendje arresti prej 17 marsit 2008, kur u arrestuan me akuzën e vrasjes masive ndaj më shumë se dy personave. Ndërkohë, në një proces paralel, të akuzuarit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Gjeçi kanë kërkuar lirimin e tyre nga paraburgimi, pasi po mbahen tej afateve ligjore si pasojë e zvarritjes së procesit në gjykata.

28 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›