E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundviti sjell batërdi grabitjesh në kryeqytet, 5 raste vetëm në një rrugë



TIRANË – Afrimi i festive të fundvitit ka kthyer batërdinë e vjedhjeve në Tiranë. Vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur pesë ngjarje të tilla në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ky dy prej tyre ndodhën vetëm pak metra larg Policisë së qarkut të Tiranës. Grupe të rinjsh, të pajisur me mjete motorike, thika dhe armë të tjera të ftohta, ndalojnë qytetarët dhe u marrin çantat, portofolat apo u heqin nga qafa dhe duart bizhuteritë e kushtueshme. Më pas ata largohen pa iu hyrë “gjemb” në këmbë, pasi në shumicën e rasteve të denoncuara nuk gjenden autorët. Në shumicën e vjedhjeve, autorë janë të rinj të papunë që vijnë nga periferitë e kryeqytetit.

Vjedhjet
Teksa një zonjë ecte e qetë në rrugën “Myslym Shyri” për të shkuar në shtëpi, pasi kishte lënë punën, kur ndodhej fare pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, dy të rinj kanë ndaluar motorin para këmbëve të saj dhe i kanë marrë përdhunshëm çantën ku kishte portofolin dhe gjërat e saj personale. Ajo nuk ka mundur që të parandalojë skenarin e grabitësve. Edhe shpresa për të gjetur ndihmën e qytetarëve të ndodhur rastësisht është e kotë. Vetëm gjatë ditës së djeshme, në këtë zonë të Tiranës, e njohur për standarde të larta jetese dhe dyqane luksoze, kanë ndodhur pesë raste. Ky realitet është pjesë e përditshmërisë së kryeqytetit gjatë këtyre nëntë muajve.

Fenomeni
Në Tiranë ka rritje të ndjeshme të krimit gjatë 11 muajve të fundit. Ky fakt është pohuar nga vetë Policia e Shtetit. Në analizën e strukturave të Policisë së kryeqytetit, një gjë e tillë është pohuar edhe nga vetë kryepolici Hysni Burgaj. Disa lloje veprash penale kanë shënuar rritje, por krimet kundër personit (vjedhjet, vjedhjet me dhunë dhe me armë) kanë të dhëna shkurajuese për qytetarët. Policia arrin që të zbulojë vetëm 41 për qind të rasteve të ndodhura. Në rreth 60 për qind të rasteve të grabitjeve apo vjedhjeve të banesave dhe qytetarëve, strukturat e Policisë nuk arrijnë që të gjejnë autorët. Vjedhjet bëhen kryesisht nga grupe të rinjsh që vijnë nga periferia. Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kërkoi nga strukturat e Tiranës që të vërë nën kontroll territorin e kryeqytetit, pasi elementët kriminalë lëvizin të lirshëm, pa u mbajtur nën survejim policor.

Ndalohet 27-vjeçari për vjedhjen e 69 mijë lekëve

LIBRAZHD – Një 27-vjeçar është ndaluar në Librazhd pasi rezulton të ketë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash në një banesë në fshatin Fanjë të Librazhdit. Policia e qarkut të Elbasanit bëri të ditur se vjedhja ndodhi mbrëmjen e së shtunës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë ndaluar shtetasin Fatmir Lena, banues në fshatin Fanjë të komunës së Qukës. Sipas tyre, ndalimi i Lenës u bë pasi është autor i vjedhjes së banesës së bashkëfshatarit të tij, A. Xh., 73 vjeç. “Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshëm për veprën penale të vjedhjes”, - përfundojnë burimet policore.

Fillimjava vazhdon me përgjakje rrugësh, tre të vdekur

Pas 8 viktimave të shkaktuara në rrugët e vendit ditën e diel, edhe tre të tjerë iu shtuan bilancit tragjik të hënën. Lezha, Fieri dhe Tirana janë rrethet ku kanë ndodhur aksidentet, ndërsa ngjarja më e rëndë u shënua në Mat, ku një furgon me 10 udhëtarë doli nga rruga, por fatmirësisht përfundoi me vetëm 4 të lënduar. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se shtetasi Nikolin Leka, 30 vjeç, humbi jetën në një aksident në aksin rrugor Lezhë – Milot. Viktima, bashkë me Elson Malajn, i cili mbeti i plagosur, po udhëtonin në një makinë tip “Golf” me targa LE 7076 A. Kur ata ndodheshin pranë një pike karburanti, shoferi Malaj ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë dhe terrenit të lagësht. Për pasojë, humbi jetën Nikolin Leka.
Gjatë ditës së hënë u nda nga jeta edhe Tomorr Shyti për shkak të një aksidenti të ndodhur në qendër të Fierit. Viktima po udhëtonte në këmbë kur është përplasur nga një mjet që po ecte me shpejtësi të lartë. Policia e Fierit nisi hetimet për këtë ngjarje dhe ka ndaluar drejtuesin e mjetit. Edhe në aksin Tiranë – Durrës u shënua një aksident me pasojë vdekje. Ende nuk ka të dhëna për identitetin e viktimës.
Një ngjarje e rëndë ndodhi në Burrel, por fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi. Një furgon me 10 pasagjerë, i linjës Urak-Burrel, ka dalë nga rruga dje në mëngjes dhe është rrëzuar pranë fshatit të quajtur Zenisht. Nga batimi i furgonit kanë mbetur të plagosur katër prej pasagjerëve. Të lënduarit janë transportuar në Spitalin e Burrelit, ku po marrin ndihmën e shpejtë. Mjekët thonë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se aksidenti ka ndodhur për shkak se furgoni ka rrëshqitur nga lagështia dhe balta në rrugë.
Mbrëmja e së shtunës dhe dita e djeshme kanë shënuar rekord aksidentesh dhe viktimash. Tetë persona gjetën vdekjen, ku vetëm në Fushë-Krujë humbën jetën tre fëmijë. Dy të tjerë vdiqën në Peqin dhe një tjetër në Gjirokastër. Ardhja e emigrantëve, shtimi i mjeteve në qarkullim dhe standardet jo të larta rrugëve janë bërë shkas për të rritur incidentet me pasojë vdekje në rrugët tona.

REAGIMI
Policia: Aksidentet, fajësohen drejtuesit e mjeteve

TIRANË - Kreu i Policisë Rrugore në Shqipëri, Vullnet Topalli, deklaroi dje se policia është shtuar në numër në akset kryesore të vendit. “Policia e Shtetit ka marrë masa për shërbimet e pandërprera të sigurisë në të gjitha akset e vendit. Po ushtrojmë kontrolle për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, shpejtësia e limituar, moskonsumimi i pijeve alkoolike etj. Gjatë këtyre muajve është reduktuar numri i aksidenteve me 28 raste më pak, reduktuar numri i aksidenteve më pasojë jetën me 19 persona më pak. Policia Rrugore u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të zbatojnë me korrektësi normat ligjore. Mos drejtoni mjetin me shpejtësi tej normave! Mos udhëtoni në gjendje të përgjumur dhe mos përdorni pije alkoolike!” - u shpreh ai. Topalli komentoi humbjen e jetës së 8 personave gjatë fundjavës, duke thënë se “në rastet e Fushë-Krujës dhe Elbasanit ku ka pasur nga tre të vdekur në të dyja rastet janë shkelur normat e sjelljes nga drejtuesit e mjetit. Kjo nuk është për faj të policisë rrugore, por për faktin se drejtuesit e mjeteve kanë shkelur normat e rregullave të qarkullimit”. Sipas tij, aksidentet e fundvitit kanë qenë në shumë raste emigrant, por nuk është vetëm kjo arsye pasi kushdo që humb kontrollin mund të ketë aksident.

SHKURT

Orikum, protestë për tokat

ORIKUM - Qindra banorë të Dukatit, Orikumit, Radhimës dhe Tragjasit kanë protestuar dje në qendër të qytezës së Orikumit për çështjen e pronësisë së tokave të Karaburunit.
Në qëndrimin e tyre dukej qartë se protestat do të vazhdojnë. Ata thonë se nuk do të tërhiqen. Banorët me pankarta në duar kanë hedhur parulla dhe disa janë shprehur se do të vijojnë protestat, pavarësisht ndërhyrjes së policisë. Ata kanë thënë se do të bojkotojnë edhe zgjedhjet lokale dhe do të mbyllin shkollat në shenjë proteste. Banorët kanë ecur përgjatë bulevardit të qytetit pa bllokuar rrugën kryesore dhe më pas janë shpërndarë.

Prangoset Lavdërim Koçeku, theri me thikë dy vëllezër

TIRANË - Një sherr mes një grupi të rinjsh në një lokal në Laprakë ka përfunduar me përdorimin e armëve të ftohta, ku kanë mbetur të lënduar dy vëllezër. Burimet zyrtare të Policisë pohojnë se është arrestuar shtetasi Lavdërim Koçeku, lindur në Dibër dhe banues në Fushë-Mëzez, i dënuar më parë me 10 muaj e gjysmë burg për vjedhje. Arrestimi i tij u krye sepse në rrugën “Migjeni” në Laprakë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur rëndë me armë të ftohtë, thikë, shtetasit Erjon Liman Gjoka, 20 vjeç, dhe 15-vjeçarin, Flogert Liman Gjoka, të cilët aktualisht ndodhen të shtruar në Spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Masakroi bashkëshorten, përfundon në qeli

TIRANË - Një 59-vjeçar u arrestua nga policia me akuzën se ka dhunuar bashkëshorten e tij, të cilën e ka qëlluar me sende të forta duke i shkaktuar dëme të qëllimshme në fytyrë. Burimet zyrtare thanë se agjentët kundër krimit ndaj personit mundësuan kapjen dhe më pas arrestimi në flagrancë të shtetasit Asllan Lusha, 59 vjeç, banues në Institutin Bujqësor Tiranë. Sipas policisë, ky shtetas dyshohet se të dielën, rreth orës 21:00, në banesë, për motive të dobëta, ka fyer dhe goditur me sende të forta, duke i shkaktuar plagë në fytyrë, bashkëshorten e tij, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

28 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›