E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat: Përgjysmohet shpërblimi i fundvitit për pensionistët

Rreth 570 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë nga 2500 lekë shpërblim për festat e fundvitit. Më parë merrnin 5 mijë lekë


TIRANË- Të gjithë përsonat që përfitojnë pension do të marrin nga 2500 lekë shpërblim për festat e fundvitit. Qeveria akordoi dje një shumë prej 15 milionë dollarë e cila do të përdoret për mbështetjen financiare të të gjithë përfituesve të një pensioni në vend.


Kështu, krahas atyre që përfitojnë pension pleqërie, shumën prej 2.500 lekësh do ta përfitojnë edhe veteranët e luftës, personat që mbështeten me pension invaliditeti apo edhe pension familjar.


Po ashtu pëfitues të shpërblimit janë edhe personat që marrin trajtim të veçantë financiar si ish-punonjësit e minierave, të ndërmarrjeve ushtarake apo edhe ata që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, si ish-ushtarakë, punonjës të policisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Zjarrfikëseve, etj.


Shpërblimi i sivjetshëm vjen i përgjysmuar në krahasim me vitet e shkuar. Ishte bërë traditë që çdo fund viti pensionstët përfitonin nga 5 mijë lekë ose siç quhej ndryshe merrnin "gjelin e detit" nga qeveria.


Por këtë herë nuk ka ndodhur kështu. Vetë Kryeministri Berisha pranoi vështirësitë që janë hasur në gjetjen e këtyre fondeve. "Nuk mund të injorohen vështirësitë e krijuara nga kriza nga njëra anë dhe nga fakti tjetër se për shkak të zgjedhjeve në mënyrë që të mos mund të lidhej rritja e rrogave dhe pensioneve me votën, ne u detyruam kësaj radhe të avanconim dy muaj para, rritjen e rrogave dhe pensioneve.


Pavarësisht nga kjo situatë, Ministria e Financave, pas një shqyrtimi tërësor të burimeve ia ka dalë të sigurojë 15 milionë dollarë si shpërblim për pensionistët dhe këto do të jenë 25 mijë lekë për pensionist ", - tha ai.


Për gjetjen e fondit 14 miliardë lekë, qeverisë i është dashur të rrëmojë në arkat e ministrive apo institucioneve të tjera të varura prej saj.


Kështu, rreth 115 milionë lekë janë marrë nga fondi rezervë në buxhetin e shtetit, 300 milionë nga fondet e parashikuara për pagesat e interesave të huaja, 485 milionë të tjera nga fondet e parashikuara për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 500 milionë nga paratë e parashikuara për Institutin e Sigurimeve Shoqërore në buxhetin e vitit 2009.
Vendimi për shpërblimin e rreth 570 mijë pensionistëve pritet të hyjë në fuqi në ditët në vijim për t'i hapur rrugën shpërndarjes së fondit.


Do të jenë zyrat e postës ku do të shpërndahen paratë ndërkohë që pritet miratimi i një grafiku nga ana e Intitutit të Sigurimeve Shoqërore për shmangien e vonesave gjatë shpërndarjes.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›