E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapja e kazinove të reja, ndryshojnë kushtet që duhet të plotësojnë

16/12/2009  Kush mund të kërkojë ndalimin e pjesëmarrjes në lojë të familjarëve

Ndryshojnë disa nene të ligjit për lojërat e fatit. Në thelb projektligji i ri që është miratuar në Komisionin e Ekonomisë rishikon disa dispozita të ligjit dhe nevojshmërinë që kanë sjellë problematikat e dala, rishikon nivelin e taksimit për bastet sportive si dhe masën e gjobës në rastet e kundërvajtjes administrative. Në nenin 1 riformulohet neni 6 i ligjit për mbrojtjen nga lojërat e fatit. “Synimi është që të ndalohet të luajnë në mjediset e lojërave të fatit personat mbi 18 vjeç për të cilët ka një denoncim me shkrim nga një prej familjarëve. Familjari depoziton pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit një kërkesë të noterizuar, së cilës i bashkëngjitet kopje e certifikatës së gjendjes civile, ku të kërkojë ndalimin e anëtarit të tij të familjes që të luajë në këto mjedise. Pas marrjes së këtij denoncimi, NJMLF njofton të gjitha subjektet që operojnë në fushën e lojërave të fatit për moslejimin e këtij personi që të luajë në këto mjedise”, - thekson relacioni. Në projektligj propozohet gjithashtu liberalizimi i dhënies së licencës “Kazino”, pa përcaktim të zonave ku do të hapen apo numrit të tij, si dhe janë rishikuar me rritje tarifat për marrjen e këtyre licencave. Neni 3 dhe 4 i projektligjit bën një rregullim ligjor lidhur me financimin e NJMLF, i cili nga 1 janar 2010 do të kalojë si institucion me të ardhurat e veta. Neni 12 i projektligjit propozon ulje të përqindjes së taksimit mbi nivelin e vëllimin e qarkullimit, për shoqëri, për bastet sportive. “Në ligjin aktual, kjo përqindje është “Organizatori i basteve sportive paguan tatim mbi lojërat e fatit 10 për qind mbi vëllimin e qarkullimit, gjithsej, të realizuar në bazë të arkëtimeve nga shitja e biletave, por jo më pak se dy milionë lekë në muaj, për çdo shoqëri, që kryen ketë veprimtari”. Në këtë projektligj propozohet që përqindja të ulet në nivelin e 5 për qind si dhe propozohet të riformulohet tatimi fiks për shoqëri dhe konkretisht nga 1 deri në 99 NIPTE dhjetë milionë lekë në muaj, për çdo shoqëri, që kryen këtë veprimtari, nga 100-149 NIPTE dymbëdhjetë milionë lek në muaj, për çdo shoqëri, që kryen këtë veprimtari dhe mbi 150 NIPTE katërmbëdhjetë milionë lekë në muaj për çdo shoqëri që kryen ketë veprimtari”, - thekson relacioni. Gjithashtu në këtë nen, propozohet ulje e tarifave fikse mujore për bastet sportive dhe konkretisht për rrethet e kategorisë së parë, 40 000 lekë nga 60 000 lekë që është në ligjin aktual, për rrethet e kategorisë së dytë, 30 000 lekë nga 40 000 lekë që është në ligjin aktual dhe për rrethet e kategorisë së tretë, propozohet 20 000 lekë nga 30 000 lekë që është në ligjin aktual. Ndërkaq, organizatori i lojërave për kazino elektronike paguan tatim fiks mujor, paguan tatim mujor mbi lojërat e fatit 4 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, për por jo më pak se tarifat fikse mujore të parashikuar në ligjin ekzistues. Për të mbrojtur lojtarët, është propozuar që lojtarët që luajnë në kazinotë elektronike dhe kazinotë (më poshtë, neni 14 i projektligjit) duhet t’u jepet në formën e fitimit, jo më pak se 80 për qind të shumës së vënë në lojë. Neni 13 bën një rregullim ligjor të masës së kapitalit për bingo tradicionale, e cila duhet të jetë 20 000 000 lekë e jo 50 000 000 lekë siç ka qenë vendosur gabimisht në ligjin ekzistues. Në logjikën e nenit 12 për kazinotë elektronike, në nenin 14 të projektligjit është bërë vendosja e tarifave me përqindje ndaj qarkullimit vjetor edhe për kazinotë dhe detyrimin për t’i kthyer lojtarit 80 për qind të shumës së vënë në lojë. Në nenin 15 të projektligjit është bërë një riorganizim i masës së gjobës sipas kundërvajtjeve të konstatuara. Në nenin e propozuar janë alternuar masat e gjobave nga 500 000 lekë në 1 000 000 lekë sipas shkallës së rëndësisë së tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›