E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e Nëntorit vazhdojnë me Ramushin

Të veshura me bluza me mbishkrimin “Faqebardhë përpara” tri vajza po dëgjonin me vëmendje fjalët që dilnin nga ekrani gjigant i vendosur në sheshin Nëna Tereze në Prishtinë.

Ato prisnin nën ethe, vendimin e gjykatësve të Tribunalit të Hagës për akuzat që i ishin bërë ish-pjesëtarëve të UCK, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, e të cilët prisnin vendimin e gjykatës.

“Ramush Haradinaj, gjykata ju shpall të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, gjykata thotë që do të liroheni posa të kryhen të gjitha formalitetet procedurale”.

Kjo fjali bëri që tu rrjedhin lotët e gëzimit jo vetëm këtyre trio vajzave por edhe shumë të tjerëve që ishin mbledhur në qendër të kryeqytetit.

Lotët u pasuan me ovacionet e qytetarëve të cilët iu gëzuan këtij vendimi.

Fishekzjarrët mbuluan qiellin e Prishtinës, ndërsa disa qytetarë të përlotur uronin njëri-tjetrin.

“Ushtari jonë më në fund u lirua”, u thoshte njëri shokëve të tij.

E festa vazhdoi me muzikë e valle.

Në këtë vend nuk pati vetëm shqiptar që e mirëpritën vendimin e gjykatës ndërkombëtare.

Për t’i uruar shokët dhe kolegët e ish kryeministrit Haradinaj, masës së njerëzve iu bashkua edhe ambasadori i Francës Jan Fransua Fitou. 

Në të njëjtin vend është duke u përgatitur një festë edhe më e madhe. Në orët e mbrëmjes aty pritet të mbajë fjalim vet Ramush Haradinaj./D.H/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›