Krasniqi: Lirimi i Haradinajt, akt madhor

(E plotësuar) Vendimi i sotëm Tribunalit të Hagës, me të cilin shpallen të pafajshëm zotërinjtë Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, rikonfirmon pastërtinë e luftës që kanë bërë këta luftëtarë dhe shokët e tyre. Edhe njëherë u dëshmua se drejtësia mund të vonojë, por vjen përfundimisht, ka theksuar kryeparlamentari Jakup krasniqi.
Sipas tij, vendimi i sotëm i Gjykatës së Hagës, padyshim është ngjarje e rëndësishme në jetën personale të ish akuzuarve, të familjeve dhe miqve të tyre, por mbi të gjitha, përbën një akt madhor me të cilin për të satën herë rrëzohen akuzat e pabaza kundër drejtësisë dhe pastërtisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë vendim, drejtësia ndërkombëtare dëshmoi profesionalizmin e saj, kredibilitetin dhe besueshmërinë e lartë që gëzon.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë çlirimtare dhe sipas zakoneve e rregullave ndërkombëtare të luftës, prandaj nuk mund të inkriminohet nga asnjë gjykatë.
Shpreh bindjen e plotë se edhe në rastet tjera të luftëtarëve të lirisë, duke përfshirë edhe këtë të fundit me zotin Fatmir Limaj me shokë, drejtësia do të fitojë, duke shpallur pafajësinë e tyre dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të Kuvendit dhe timin, të sapoliruarve nga Tribunali i Hagës u dëshiroj mirëseardhje në atdheun e tyre dhe sukses e mbarësi në jetë, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.
....
Berisha: Ftoj Haradinaj të festojmë bashkë
Sa i përket vendimit të dhënë nga Gjykata e Hagës në orët e para të ditës së sotme për pafajësinë e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i akuzuar për krime lufte, Sali Berisha tha se ishte lajmi më i gëzueshëm për gjithë shqiptarët në këtë ditë. Kreu i qeverisë e cilësoi si një triumf të demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar, ku e ftoi zotin Haradinaj për një vizitë në Shqipëri në mënyrë që të festohet bashkërisht.
......
Presidenca mirëpret vendimin e Tribunalit
Presidentja e Republikë së Kosovës, Atifete Jahjaga ka mirëpritur vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime lufte në ish - Jugosllavi që të shpallë të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinajn.
Në një komunikatë për shtyp, presidentja e vendit e ka cilësuar vendimin e sotëm për Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn, si ”edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë mveshur”.
Presidentja e Kosovës ka përgëzuar gjithashtu qytetarët e Kosovës ”për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe”/Indeksonline/
........
Thaçi: Haradinaj bëri luftë të drejtë
Kryeministri Hashim Thaçi e mirëpret vendimin e Tribunalit të Hagës për lirimin e luftëtarëve të lirisë dhe konsideron atë si një vendim të drejtë.
”Ky vendim është dëshmia më e fortë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht. Ky proces i stërzgjatur i Tribunalit të Hagës kundër Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt ka qenë shumë i dhimbshëm për t’u përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë. Fatmirësisht, durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar”, thuhet në komunikatën për media.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës uron ish-kryeministrin Ramush Haradinajn, Idriz Balajn dhe Lah Ibrahimajn për lirimin e tyre dhe kthimin në familjet e tyre, kthimin në vendin e tyre për të cilin kanë dhënë aq shumë. Poashtu, Thaçi uron të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë fitore të shumë pritur dhe fton qytetarët që të festojnë këtë moment me dinjitet dhe krenari.
Më tej në komunikatë thuhet se kryeministri Thaçi rithekson se lufta jonë për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë, ndërsa kjo u vërtetua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij./Indeksonline/
Kuçi: Lirimi i Haradinajt tregon luftën e pastër të UÇK-së
Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi i tha Radio Kosovës se vendimi i Tribunalit të Hagës për lirimin e Ramush Hardinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt është lajm i gëzuar dhe i mirëpritur pas festës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës tha se pafajësia e Ramush Haradinajt tregon edhe një herë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër.
----
Rama: Festa nis me pafajësinë e plotë të UÇK-së
Menjëherë pasi Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm ka reaguar kreu i opozitës shqiptare në rrjetin social Twitter.
Rama ka thënë se Ramushi u lirua në ditën e Çlirimit të Atdheut dhe sipas tij kjo është një mrekulli.
“Pas festes së Pavarësisë dita e Çlirimit të Atdheut nis me pafajësinë e plotë të UÇK-së, përmes gjyqit të mbyllur të Ramushit! E mrekullueshme”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur se, nga sot lavdia e UÇK-së dhe heroika e luftës se protagonisteve te saj çlirohet prej çdo hijeje të hedhur nga keqdashësit në tëre këto vite! /Indeksonline/
.....
Ahmeti uron Haradinajn
E nderuara familje Haradinaj, i nderuari Baca Hilmi, i nderuari Ramush, i nderuari Lahi Brahimaj, Idriz Balaj
Kam nderin e veçantë që në emër të të gjithë neve tek Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe në emrin tim personal, si mik i familjëve tuaja, të shpreh uratat më të sinqerta për lirimin përfundimtar të Ramush Haradinajt dhe të Lahi Brahimajt.
100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe të ditës së flamurit kombëtar si dhe liria dhe pavarësia e Kosovës nuk mund të ishin të plota pa lirinë e çlirimtare dhe pa ruajtjen dhe respektin maksimal ndaj vlerave të ushtrive tona çlirimtare të fundshekullit të kaluar. Ne luftuam bashkë për të arritur pavarësinë e Kosovës dhe sot, në këtë 100 vjetor të bekuar, kjo pavarësi po merr formën e plotë, me ngadhnjimin e luftës sonë çlirimtare.
Lufta jonë e drejtë nuk kishte se si mos të ngadhnjejë edhe para ligjit ndërkombëtar sepse ne kërkuam lirinë dhe demokracinë në vendin tonë, në tokat tona duke mos cënuar të drejtat e të tjerëve.
Sot, Kosovës po i vendoset edhe një themel i fuqishëm i shtetësisë duke ngadhnjyer në një proces të gjatë dhe të vështirë të drejtësisë ndërkombëtare. Këto fitore duhet të na shërbejnë si nxitje për ta bërë Kosovën dhe rajonin më të mirë dhe unë jam i bindur se bashkarisht do ta shpiejmë rajonin përpara, pa kufij dhe plotësisht të integruar në NATO dhe BE./Indeksonline/