Buchar: Rënia e komunizmit në Lindje, e organizuar nga Moska dhe KGB-ja
“Nga dokumentet që po dalin për këtë çështje por që askush nuk dëshiron më t’i lexojë, tregohet një histori krejt ndryshe. Forca e popullit nuk kishte të bënte fare me këtë çështje”
Intervistoi Auron Tare
Prof Buchar. Ju falenderoj që pranuat të bënit këtë bisedë me ne sot, për pikëpamjet tuaja në lidhje me një pjesë shumë të rëndësishme të historisë sonë të përbashkët. Megjithatë, para se ne të vazhdojmë mbi këtë temë, a mundeni të na thoni diçka për veten? Si keni mundur të arratiseshit nga Çekosllovakia dhe të mbërrinit këtu, në këtë Universitet të njohur në Çikago?
Faleminderit! Në fakt është një histori paksa e gjatë. Unë munda të arratisem nga Çekosllovakia në 1980-ën, së bashku me gruan time, në Austri. Pasi qëndrova për 8 muaj si refugjat në një kamp, m’u dha statusi i refugjatit politik për në Amerikë. Erdha në Amerikë në shkurt të 1981-it dhe qëndrova në Salt Lake Siti për 8 vjet, ku punova në Televizionin CBS. Ndërkohë, m’u ofrua ky pozicion që kam sot në Kolegjin e Kinematografisë dhe Arteve në Kolumbia të Çikagos, ku jap mësim në kinematografi. Jam këtu që prej vitit 1990.
Si emigrant politik që ishit, çfarë ju bëri të interesoheshit mbi çështjen e rënies së komunizmit? Ju u arratisët nga ajo botë e latë pas atë sistem, filluat një jetë të re në Amerikë. Çfarë ju shtyu të shkonit mbrapsht dhe të ndiqnit gjurmët tuaja në atë vend?
Një pyetje shumë interesante. Në fakt, unë mendova se nuk do të kthehesha më kurrë në vendin tim. Edhe gjatë ’89-ës nuk është se u fokusova shumë në ato që po ndodhnin atje. Nuk u interesova shumë pasi më duhet të them se 10 vite më parë kur unë po përgatitesha të arratisesha, nga kontaktet e mia mësova se një ndryshim në sistem po përgatitej dhe rezultatet do të ishin jo ato që unë mendoja. Kështu që kur më pyetën në atë kohë se në cilën anë do të doja të isha, unë thashë “jo, nuk dua të përfshihem, por dua të iki prej këtej se nuk shikoj ndonjë të ardhme”. Kështu që ika, por më duhet të them se nuk e prisja që ky ndryshim do të vinte kaq shpejt. Kështu që kur lëvizja filloi, nuk është se tregova ndonjë interes të madh për të. Në 1999-ën kur kisha një vit leje nga Universiteti, vendosa të bëja diçka. Mendova se një projekt mbi kinematografinë çeke do të ishte diçka mjaft interesante. Kinemaja çeke kishte vdekur dhe doja të zbuloja se çfarë kishte ndodhur me ata njerëz që kisha lënë pas. Ku ishin tani dhe çfarë bënin? Vendosa dhe u ktheva në Pragë, ku bëra një dokumentar. Dokumentari quhet “Velvet Hangover”, në të cilin trajtoja historinë e kinematografisë çeke. Ndërkohë tek xhiroja për këtë dokumentar, zbulova se shumë gjëra që dëgjoja në Pragë nuk përputheshin me ato që kisha dëgjuar mbi lëvizjen e ’89-ës. Kishte shume gjëra të çuditshme. Kështu që vendosa të zbuloja më shumë. Ideja për të parë se çfarë fshihej pas historisë zyrtare më intrigonte. E dija se një punë e tillë ishte shumë e vështirë por edhe e rrezikshme. Po debatoja me veten time në se do të doja t’i hyja një pune kaq të vështirë ku të shpenzoja gati 5 vjet të jetës sime. Kështu që diku në 2003-in apo fillimin e 2004-ës, shkova në Pragë dhe u ula të bisedoja me Peter Cibulken, një disident i njohur dhe i burgosur politik. E pyeta se çfarë mendonte për idenë time, nëse përpiqesha të hulumtoja dhe t’i tregoja prapaskenat e ngjarjeve të ’89-ës? Më tha: “Po, duhet ta bësh dhe nëse ti nuk e bën, askush këtu tek ne nuk do t’i tregojë këto ngjarje”. Këto fjalë të tij më mbetën në mendje teksa fluturoja për në Çikago, ku isha në dilemë se çfarë të bëja. Por inkurajimi i tij më bëri që të vendosja përpara se avioni të ulej. Kështu që prej asaj dite kam shpenzuar shumë kohë në kërkimet e mia për këtë temë. Botova librin, të cilin tashmë ju e keni, si dhe dokumentarin që do të dalë së shpejti.
Ju pyeta më parë për fjalët e famshme të Vaclav Havel-it: "Komunistët janë zhdukur, ata na i dhanë pushtetin neve". Sa të vërteta janë këto fjalë duke i parë pas 20 viteve?
Jo, sigurisht që jo. Shikoni, përshtypja e përgjithshme është që atë kohë pati një kryengritje dhe forca e popullit e mposhti atë regjim duke rrëzuar komunistët dhe duke ndryshuar historinë. Për mua, e gjitha kjo nuk është e vërtetë. Nga dokumentet që po dalin për këtë çështje, por që askush nuk dëshiron më t’i lexojë, tregohet një histori krejt ndryshe. Forca e popullit nuk kishte të bënte fare me këtë çështje. E gjithë lëvizja antikomuniste apo rënia e komunizmit ishte një skenar i përgatitur dhe i orkestruar nga Moska. Duhet ta kuptoni që, nëse ai regjim do të mbijetonte, duhej patjetër të ndryshonte fasadën.
Ne të gjithë e dimë se e ashtuquajtura “Pranvera e Pragës”, një periudhë e liberalizimit politik në Çekosllovaki filloi me reformat e Aleksandër Dubcek. Për shkak të frymës që sollën këto reforma, Ushtria e Kuqe pushtoi Çekosllovakinë. Megjithatë, pothuajse 20 vjet më vonë Ushtria e Kuqe nuk lëvizi. Njëri pas tjetrit regjimet komuniste ranë dhe Bashkimi Sovjetik, i cili për dekada me radhë kishte ndërmarrë veprime të pamëshirshme ushtarake për të ndaluar çdo kërcënim për sundimin komunist, u tregua pasiv. Çfarë kishte ndryshuar?
Shikoni, lëvizja e Pragës është një tjetër histori shumë interesante, pasi pati një lëvizje të vërtetë, por e cila më vonë u manipulua dhe u shfrytëzua për ngjarjet e ’89-ës. Shumë nga liderët e kësaj lëvizjeje u rekrutuan më vonë nga Shërbimi Sekret Çek, histori kjo e përsëritur pasi burgjet në Çekosllovaki janë përdorur gjithmonë për rekrutime të disidentëve.
Të gjitha regjimet komuniste në Lindje, të cilat kishin mbrojtur veten në mënyrën më të pamëshirshme për 40 vite me radhë, papritur tani u rrëzua në sinkronizëm të përsosur në pothuajse shtatë muaj. Çdonjëri nga këto regjime u tërhoq pa probleme dhe (përveç luftës së shkurtër në Rumani) transferoi paqësisht pushtetin. Çfarë ndodhi?
Sipas dokumenteve të zbuluara nga Vladimir Bukovski në arkivin e KGB-së në Moskë dhe mikut të tij Pavel Stroilov, i cili punonte në Librarinë “Gorbaçov”, ka pasur një plan të qartë të përgatitur nga KGB-ja dhe Andropovi që në vitet ‘70. KGB, një prej grupimeve më të mirinformuara të Bashkimit Sovjetik, e kishte kuptuar se ky regjim nuk mund të mbijetonte më ekonomikisht në këtë mënyrë. Prandaj ideologjia duhej të largohej. Në këtë mënyrë, KGB-ja filloi për të përgatitur një plan, një plan të veprimeve dhe ndryshimeve. Sipas dokumenteve të sipërpërmendura, Andropovi krijoi në mesin e viteve ‘70 një institut, “Think Tank” në Austri, ku ekonomistë dhe politikanë jepnin mendime mbi reforma ekonomike në një ekonomi të centralizuar.
Ka një perceptim të tillë se, Bashkimi Sovjetik dhe blloku komunist ranë në kolaps për shkak të gabimeve të mëdha ekonomike. Kjo është arsyeja pse në vitet ’70 dhe ‘80 disa historianë besonin se, nëse sistemi komunist nuk do të kryente reforma, do të binte në kolaps. Ju si mendoni?
Sigurisht që kjo ishte edhe arsyeja për ndryshime, sidomos kur plani i Presidentit Regan u vu në veprim. Unë mendoj se ishte plani ushtarak i Reganit ai që ndihmoi në falimentimin ekonomik të Bashkimit Sovjetik.
Pra, ju e besoni atë që historianët amerikanë në përgjithësi kanë shkruar dhe kanë argumentuar se në fakt, ishte programi mbresëlënëse ushtarak i presidentit Regan, arsyeja që shkaktoi rënien e Bashkimit Sovjetik....Fakti që rusët shpenzonin gati 50% të GDP-së për ushtrinë është një tregues. Si mendoni ju?
Po, është e vërtetë, por nuk është ndonjë diçka e re për historinë ruse. Ka ndodhur disa herë që ekonomia ruse ka qenë në prag të kolapsit dhe ata kanë ndërmarrë disa reforma, si ‘Perestrojka’. Kjo është ndoshta e treta apo e katërta që nga Revolucioni rus dhe në njëfarë mënyre, Perëndimi gjithmonë e ka pranuar si një lloj reforme të vërtetë dhe e ka ndihmuar ekonominë ruse të rigjenerohet.
Në librin tuaj, ju keni shkruar se pothuajse të gjithë sekretarët e Parë të Partisë Komuniste në Çekosllovaki janë përzgjedhur nga KGB-ja. Për më tepër që ju thoni se edhe kandidatura e Vaclav Havel-it si lider i lëvizjes u miratua nga Moska. Po kështu shkruani se Vaclav Klaus, presidenti aktual çek, ka qenë një bashkëpunëtor i KGB-së. Si është e mundur? Ku i bazoni ju këto përfundime?
Shikoni, nga burimet të cilat nuk do të doja t’i përmendja, dihet mjaft mirë dhe në fakt nuk ka më asnjë pikëpyetje për këtë gjë se “Charter 77” ishte e influencuar nga KGB-ja sovjetike, por në një pjesë edhe nga CIA. CIA e financoi këtë lëvizje nëpërmjet SOROS-it, një detaj ky mjaft i çuditshëm do të thosha, por ishte KGB-ja që e organizoi këtë Lëvizje. Ka dokumente që nuk lënë asnjë dyshim se liderët e organizatës “Charter 77” kanë marrë një sasi shumë të madhe financimesh. Nga i morën? Jo anëtarët e thjeshtë, por disa prej liderëve u financuan mjaft. Përpara se të filloja dokumentarin dhe kërkimet e mia për librin, pata disa takime me një prej shefave të Kundërzbulimit të CIA-s të asaj kohe. Unë e pyeta atë...
E keni fjalën për zotin Bagley?
Jo, jo, është dikush tjetër, në fakt gjatë kohës që Robert Gate ishte Shefi i CIA-s dhe Bagley ka qenë pak më përpara në pozicionin që ju flisni. Pra unë e pyeta këtë person: Si ka mundësi që ju e dinit që kjo Lëvizje influencohej nga KGB-ja dhe përsëri e financuat nëpërmjet SOROS-it? Ai buzëqeshi dhe më tha: “Pse, po të ishit ju në vendin tim nuk do ta shfrytëzonit këtë mundësi?” Duhet ta kuptoni që asgjë në këtë botë nuk është bardh e zi. Kjo ishte një lojë nga të dyja palët. Duhen kuptuar momentet. Në atë kohë, ruset kërkonin në mënyrë të dëshpëruar ndryshimin e sistemit dhe përse amerikanët duhet të thoshin JO? Të gjithë kërkonin largimin e komunizmit, kështu që secili punoi për interesin e vet. Por kishte një problem, presidenti Bush hezitoi të ndërhynte në ato momente, pasi kishte frikë reagimin rus, të cilët nuk donin që amerikanët të përfshiheshin shumë në këto ndryshime, kështu që në njëfarë mënyre ata që ishin mbrapa Gorbaçovit bënin si të donin.
Pra ju thoni që amerikanët deklaruan fitoren mbi komunizmin. Mori fund, dosja u mbyll për këtë histori?
Po, në njëfarë mënyre po. Po çfarë mund të bëjnë politikanët amerikanë? Amerika fitoi, kush mund ta vërë këtë gjë në dyshim?
Ju shkruani se figurë e rëndësishme për ne që të kuptojmë Planin e mashtrimit të “Perestrojkës” të krijuar nga KGB-ja, është Juri Andropov, Shefi legjendar i KGB-së. A mund të na thoni më shumë rreth Andropovit dhe planit të tij? Në Shqipëri, Andropovi nuk është shumë i njohur, edhe pse disa nga udhëheqësit më të vjetër komuniste e kanë takuar atë personalisht gjatë viteve '60. Mund të na tregoni më shumë rreth fenomenit ‘Andropov’ si dhe planit të tij?
Shikoni, askush nuk di gjë mbi Andropovin. Ai ishte një figurë-hije, i cili i rrinte larg publikut dhe publicitetit. Shumë privat.
Ai ka qenë personi që u mor me Revolucionin hungarez, apo jo?
E saktë, dhe duhet të ketë qenë momenti që e lançoi në një karrierë të shkëlqyer. U mor me shtypjen e kryengritjes në Hungari dhe që prej atij momenti u ngjit në hierarki. Kur “Perestrojka” u shfaq në Bashkimin Sovjetik, media perëndimore filloi të interesohej për këtë figurë. Kush është ky njeri? - pyesnin gazetaret të cilët nuk kishin asnjë ide mbi të. Dhe kështu ai krijoi një propagandë për vete. Janë disa qindra artikujt të shkruar mbi të në median perëndimore, p.sh, si ai luante shah, si kërcente me muzikë perëndimore, çfarë pëlqente të pinte etj., por që të gjitha janë gënjeshtra se askush nuk di asgjë mbi të. Jan Pacepa në fakt shkon më shumë në teorinë e tij kur shkruan se KGB-ja testoi këto lloj teknikash me Perëndimin nëpërmjet Causheskut. Caushesku ishte një eksperiment i KG-së sesi një lider komunist mund të jetë miqësor dhe i njohur me publikun perëndimor. Siç mund ta dini, Caushesku ishte i famshëm në Perëndim. Presidenti Karter e donte shumë. Në njëfarë mënyre të njëjtën gjë bënë me Andropovin, por për të askush nuk dinte asgjë me të vërtetë.
Pra sipas burimeve tuaja, ju thoni se “Perestrojka” ka qenë një program i ideuar nga Andropovi?
Po, sipas dokumenteve të Vladimir Bukovskit. Sipas Bukovskit Andropovi ka qenë babai i mashtrimit të quajtur “Perestrojka”.
Ekskluzive/Top Channel