“Orët e ringjalljes”
Romani “Orët e Ringjalljes”, botim i shtëpisë botuese “Argeta”, shënon të tretin tekst të shkrimtarit dhe studiuesit Behar Gjoka, si dhe të katërtin libër në prozë, ku bëjnë pjesë vëllimi me tregime “Udhëkryq”, 1996, romanet “Shitësi i gurëve të varrit”, 1999, “Mashtrim i bukur”, 2007. Libri më i ri, “Orët e Ringjalljes”, në vitin 2000 ka marrë çmim nga shtëpia botuese “Buzuku”, Prishtinë, ndërsa në Shqipëri botohet për herë të parë. Ky roman ka në qendër ikjen dhe kthimin biblik të shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre, në motin e hidhur të 1999, i cili hyri në ndërgjegjen e shqiptarëve, por edhe të fëmijëve të të dyja anëve të kufirit, kur fati i banorëve u vendos nga ndërhyrja e forcave të NATO-s, si një përgjigje e qytetërimit perëndimor ndaj barbarisë serbe. Në fakt, sipas romanit, kapitujve që shkojnë në 17 të tillë gjithsej, si dhe kundërkapitujve, siç janë intermexo-të dhe pauzat, vetëm sa merret shkas nga lufta, sepse fati i personazheve me lëvizjet e tyre në Shkup, Tiranë apo në Prishtinë, më tepër sugjeron shansin e ringjalljes së kombit shqiptar, pra përlindjen e madhe të shqiptarëve, në kohët moderne, si një rast unik i të drejtës kombëtare dhe po kaq edhe si një betejë e fituar në emër të të drejtave njerëzore. Humbja e prindërve të një fëmije 5-6-vjeçar, si dhe mbështetja që ai gjen nga ushtarakët e SHBA-së, Anglisë, Francës dhe Gjermanisë, përbën historinë letrare të këtij teksti. Kjo ndodhi, e gjakshme dhe tronditëse, e shtjelluar në përplasje me serbët, një betejë absurde e makinës ushtarake të Milosheviçit me civilët e Kosovës, që detyroi forcat e NATO-s që të ndërhynin, në faqet e romanit vjen e përthyer dhe e rrëfyer në fatin e qenieve të pafajshme njerëzore, duke ndërthurur shpesh edhe situatat personale të personazheve me atë që ngjet në hapësirat ku lëvizin ngjarjet e tekstit. Rrëfimi i larmishëm, situatat e befta që tentojnë rrokjen e tragjikes, por e shoqëruar shpesh edhe me nota të një dialogu të ndezur, si dhe me sprova të një ligjërimi të gërshetuar të njësimit dhe me shenja të ligjërimit të variantit letrar të gegërishtes, sipas situatave, e shndërrojnë në një tekst që lexohet me vëmendje, mbase diçka më tepër në një libër që eksperimenton me fjalën, strukturën romanore, po kaq edhe me figurimin e personazheve.