Festat e fundvitit, mbahet Koncerti i “Tre tenoreve”
Si çdo vit ata u mblodhën në Pallatin e Kongreseve në një koncert “live” dhe me një repertor të zgjedhur nga Puçini, Verdi, Donizzeti për t`ju uruar kryeqytetasve dhe të gjithë shqiptarëve festat e fund-vitit. Janë Adrian Xhema, Armaldo Kllogjri dhe Rame Lahaj, ky i fundit nga Kosova, që intepretojnë krijimin e Edmond Zhulalit me tekst të Nexhat Ymeraj. Adrian Xhema takohet në këtë mënyrë në Tiranë, pas koncerteve të tij në Gjermani, me publikun shqiptar dhe koleget e tij për të pushtuar skenën me zërin e tij të fuqishëm. Më e reja e koncertit ishte sopranoja Ramona Tullumani, 24 vjeç, me një zë tashmë të pjekur, ajo i dha skenës freskinë e interpetimit dhe sharmin femëror. Koncerti, në edicionin e tetë të tij, ishte edhe një homazh për Artistin e Popullit Ramiz Kovaçi, ndërkohë që të ftuarit e veçantë të tij ishin tre artistë nga Napoli, Vitalle Ruso, Giacomo Mosca dhe Francesco Tuppo. Koncerti “Tre tenorët” në këtë mënyrë la pas edicionin e tetë të tij, për herë e më shume pritet me interesim të madh nga publiku, fal repertorit të tij të veçantë e të larmishëm, çdo fund-dhjetori në këtë sallë shijohet në një mbrëmje të veçantë muzika e mrekullueshme, shoqëruar nga zërat më të mirë të muzikës klasike vendase dhe botërore, duke treguar në këtë mënyrë se njerëzit e artit, mund të falin momente të paharrueshme tingujsh, dashurie dhe pasioni për muzikën.
Qendra kulturore “Tirana”, përgatitet për festat e fundvitit
Në kuadër të festave të fundvitit, Qendra kulturore "Tirana", ka përcaktuar një kalendar me aktivitete kulturore dhe artistike. Do të organizohen aktivitete të shumta kulturore, mes të cilave, shfaqjet e cirkut, të ansamblit folklorik "Tirana", orkestrës frymore etj. Është parashikuar që për fëmijët të dyfishohet numri i shfaqjeve të cirkut deri në 5 herë për çdo javë, ndërsa është menduar të rishfaqet premiera "Lëre shpirtin tënd të fluturojë në cirk". Sipas drejtorit të qendrës, Kiço Londo edhe ansambli folklorik "Tirana" do të ofrojë program pak më të ngjeshur. Ansambli do të vijë me koncerte nëpër qendra të banuara të kryeqytetit. Gjithashtu, në prag të Krishtlindjeve ai do të japë një koncert treditor për shqiptarët në Itali. Orkestra Frymore e Metropolit, do të jetë në mbrëmjen "Gala", në datën 29 dhjetor në sallën e Akademisë së Arteve, me koncert të zgjedhur me pjesë frymore, si dhe me këngëtarët e mëdhenj të skenës shqiptare si: Gaqo Cako, Edit Mihali e Hysni Zela.
9 Dhjetor 2009