E Diel, 1 Nëntor 2026

Kualifikimi i mjekëve, nis vlerësimi nëpërmjet pjesëmarrjes në konferenca dhe trajnime



Emanuela Sako

Për të mbajtur vendin e punës, mjekët, tashmë janë të detyruar të marrin pjesë në konferenca apo trajnime të ndryshme në fushën e shëndetësisë. Kjo është një mënyrë e re që Ministria Shëndetësisë po e përdor për certifikimin e njohurive të mjekëve dhe matjen e aftësive profesionale në ushtrimin e profesionit. Kështu, mjekët vlerësohen nëpërmjet krediteve për pjesëmarrjen në këto konferenca apo trajnime. Nëpërmjet pjesëmarrjes, presupozohet se mjekët referojnë për çështje të caktuara dhe njihen me të rejat e fundit dhe zhvillimet botërore në fushën e shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, pak kohë më parë deklaroi se mjekët që nuk kanë kualifikimin dhe njohuritë e duhura do të pezullohen nga vendi i punës. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, shumë ngjarje të pakëndshme ndodhin për shkak të paaftësisë së mjekëve, ndaj theksi i duhet vënë kualifikimit të tyre. Mjekët që nuk arrijnë të certifikohen do të largohen nga puna.
Vlerësimi
Ministria e Shëndetësisë, pak muaj më parë vendosi për sistemin e ri të vlerësimit të mjekëve. Mjekët tani vlerësohen nëpërmjet pikëve të marra nga kurset apo trajnimet përkatëse që ata do të ndjekin gjatë specializimeve, sipas profilizimit që kanë. Kështu, në bazë të pikëve të marra, do të bëhet dhe kualifikimi ose jo i mjekëve, ku do të testohen dijet e tyre në fushën përkatëse, të sistemit mjekësor ku ata bëjnë pjesë. Në bazë të këtij vlerësimi do të përzgjidhen në vendet e punësimit të gjithë mjekët që janë në garë për një vend pune. Ndërsa për mjekët që aktualisht janë në marrëdhënie pune vlerësohen nëpërmjet pjesëmarrjes në trajnime dhe konferenca. Gjatë pjesëmarrjes ata kanë të drejtë të referojnë lidhur me disa një çështje që duhet ta kenë studiuar dhe duhet t’u jenë referuar të reja të fundit të shkencës nga vendet e tjera me sistem shëndetësor të zhvilluar dhe që kanë shënuar arritje në një fushë.
Mjekët
Për mjekët që nuk janë ende në marrëdhënie pune vlerësimi ndryshon sepse atyre u merren parasysh disa kritere të tjera. Përveç testimit të parë që u bëhet mjekëve nëpërmjet mesatares së diplomës së universitetit dhe më pas specializimeve të ndryshme, tashmë do të vendoset edhe mënyra e vlerësimit nëpërmjet krediteve të marra në trajnime. Në këtë mënyrë do të mund të punësohen mjaft mjekë që punojnë në rrethet e largëta të vendit. Këta mjekë janë të distancuar nga trajnimet e shumta të mjekëve që bëhen në kryeqytet nëpërmjet MSH-së apo shoqatave të ndryshme mjekësore. Ky është një problem, MSH-ja ka kërkuar ta zgjidhe duke kërkuar trajnim të vazhdueshëm edhe për këtë kategori. Për këtë pjesë të sistemit mjekësor në vend janë më të rëndësishme pjesëmarrjet në këta takime ku shkëmbehen eksperiencat dhe lëvrimet më të fundit në fushën e mjekësisë. Njëkohësisht, ky do të jetë një hap para për punësimin e mjekëve në zonat e thella që kanë mungesë të stafit mjekësor.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›