E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualifikimet, Qendra e Edukimit të Vazhdueshëm certifikon mjekët



Qendra e Edukimit të Vazhdueshëm do të certifikojë njohuritë e personelit mjekësor, e cila me anë të dokumentit bazë të miratuar do të bëjë certifikimin e bluzave të bardha në vend. Kërkesat mbi kualifikimin dhe dijet e mjekëve parashikohet të jenë të veçanta për çdo sistem atë primar, në spitalet rajonale dhe qendrore. Pjesë e kontratës mes mjekëve dhe Qendrës është dhe mënyra sesi verifikohen dijet e tyre, e cila konsiderohet vetëm si një provim, por do të vlerësohen dijet e tyre, pjesëmarrja në aktivitetet e mëdha shkencore etj. Sipas MSH-së, ky është një sistem vlerësimi kompleks jo vetëm me një element, por që në fund të tregojë që një mjek e ka kualitetin e duhur për t’u shërbyer pacientëve. Këtij vlerësimi i cili pritet të nis brenda vitit, do t’i nënshtrohen të gjithë ata që operojnë në sistemin shëndetësor shqiptar, si mjekët ashtu edhe infermierët stomatologët apo farmacistët.

Ministri i Shëndetësisë takim me Ministrin Italian të Arsimit

Italia po ndihmon në formimin profesional të studentëve shqiptar. Në Itali jetojnë dhe studiojnë rreth 400 mijë shqiptarë, të cilët po integrohen në një shtet europian. Gjithçka u bë e ditur gjatë një takimi të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe zëvendësministrit Italian të Arsimit, Pizza. Gjatë këtij takimi Pizza ka theksuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë. Ndërsa ka garantuar dëshirën e mirë të Italisë dhe mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zëvendësministri Italian i Arsimit vlerësoi ndërmarrjen e hapave në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor që mbështetet veçanërisht edhe në zhvillimin e arsimit. Pizza shprehu përkrahjen e tij për integrimin e plotë në shoqëri të rreth 400 mijë shqiptarëve që jetojnë në Itali, ku një pjesë e madhe e të cilëve janë studentë me rezultate të larta. Në këtë takim të pranishëm kanë qenë edhe Ambasadori Italian në vendin tonë, Saba D’Elia dhe përfaqësues të lartë të Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, të cilët kanë vënë në dukje rolin e këtij universiteti në përgatitjen e kuadrove të rinj e të kualifikuar. Ata kanë theksuar se ka arritje në sektorin e mjekësisë duke theksuar se ky universitet ka sjellë përvojën italiane të shëndetësisë në vendin tonë duke u krijuar mundësinë mjaft të rinjve shqiptarë që të ndjekin studimet në vendin e tyre me të njëjtin standard që ofrojnë universitetet italiane.

Berat, dy pacientë izolohen në Spitalin Infektiv nga virusi AH1N1

Virusi i gripit të derrit prek edhe dy pacientë të tjerë në qytetin e Beratit. Një grua rreth të gjashtëdhjetave dhe një vajzë, janë izoluar në spitalin rajonal të qytetit të Beratit, pasi dyshohet se janë infektuar me virusin AH1N1. Pas simptomave të ngjashme me ato të gripit dhe përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore, mjekët vendosën izolimin e gruas nga komuna Lumas dhe vajzës nga qyteti i Beratit në një prej dhomave të infektivit. Mjekët konfirmojnë se dy pacientet fillimisht kanë pasur simptomat e një viroze normale gripale, ndërsa më vonë pësuan komplikacione shëndetësore që la të dyshohej se ato mund të ishin prekur nga virusi AH1N1. Aktualisht dy pacientet po trajtohen me tamiflu, ndërkohë që priten rezultat përfundimtare të analizave. Ditët e fundit virusi i gripit të derrit ka prekur mjaft persona në të gjithë vendin, shifrat për të cilët kanë kaluar mbi 200 raste. Ndërkohë që shumica e pacientëve janë shtruar dhe po kurohen në Spitalin Infektiv të Tiranës dhe në Sanatorium. Sipas burimeve spitalore bëhet e ditur se ka mjaft raste që janë në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të komplikacioneve të mëdha që ka shfaqur virusi. Më të predispozuar ndaj një gjendje shëndetësore të përkeqësuar janë pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike apo sëmundje të tjera të rënda.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›