E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit, shpallet Miss Korça 2008

Në fotot: Nga spektakli "Miss Korça 2008"

E veçanta e Mis Korça 2008 ishte drejtimi i shkëlqyer i gazetares Albana Çakshiri e cila u shfaq ndryshe. Megjithëse për herë të parë në skenë, Çakshiri u prezantua si një drejtuese profesioniste jashtë gjithë steriotipeve dhe imazheve që po mërzitin spektatorin

Korçë, 25 dhjetor 19:06 NOA - Vajza më e bukur e qytetit të serenatave është shpallur në Korçë, gjatë një spektakli të zhvilluar në teatrin “Andon Zajop Cajupi”.

“Mis Korça 2008” është spektakli më i madh i fundvitit në qytetin juglindor, i sjellë ndryshe dhe pas tre vjetësh shkëputjeje.

E humbur tre vjet më parë kurora e Mis Korçës, mbërriti më e bukur se kurrë në këtë eveniment, për të vezulluar në kokën e 17-vjeçares Lorela Tuke.

Fituesja e kurorës së bukurisë Tuke për vitin 2009 do të jetë edhe imazhi i bashkisë së qytetit.

Spektakli i bukurisë për të arritur në finalizimin e tij pati një rrugë megjithëse të shkurtër prej afro një muaji. tepër të vështirë.

Stafi realizues i tij u përball me tabutë tradicionale të mbylljes së bukurisë prapa dyerve dhe kangjellave korçare pse jo, por edhe të ndonjë shkolle të qytetit nga drejtuesit e saj. Pas përzgjedhjes së 35 bukurosheve arritën në finale 15 prej tyre, duke u shfaqur më të bukura se kurrë në natën finale të spektaklit.

Konkursi ishte një show i vërtetë ku përmes 5 sfilatave me veshje të ndryshme nga klasikja deri në kostumet e banjove bukuroshet shpalosën sharmin e tyre fizik të gërshetuar me inteligjencën.

Midis sfilatave spektatori shijoi edhe pjesë të ndryshme artistike të interpretuar nga aktorë dhe këngëtarë të njohur. Momente emocionuese sollën në skenë një mini sfilatë nga vogëlushët e kopshteve të qytetit.

Merita kryesore e këtij spektakli i shkon shoqatës “Kryefamiljarja” e cila ishte nismëtarja e këtij eventi që zgjoi interesin e gjithë korçarëve.

Duke qenë një shoqatë në shërbim të gruas dhe duke patur në qendër të saj lidhjen nënë-bijë, solli në skenë idenë e madhe se çdo nënë lind dhe rrit bukuri të tilla si ato që mahnitën Korçën në këtë fundviti.

Për realizmin e këtij spektakli punoi koreografja Blerta Belliu regjizorja Zamira Kita, ndërsa producente dhe skenariste u bë shkrimtarja dhe gazetarja Irena Vreto.

E veçanta e Mis Korça 2008 ishte drejtimi i shkëlqyer i gazetares Albana Çakshiri e cila u shfaq ndryshe. Megjithëse për herë të parë në skenë, Çakshiri u prezantua si një drejtuese profesioniste jashtë gjithë steriotipeve dhe imazheve që po mërzitin spektatorin. Prezantuesja kishte hequr xhinset dhe atletet e reporterit me të cilat përshkon rrugët e kronikës së rajonit, për të sjellë në skenë pjesën femërore më të mirë të një vajze korçare.

Në magjinë e skenës korçare u ngjitën dhe vëllezërit e njohur Stefi dhe Endri Prifti të cilët kanë rrëmbyer duartrokitje të pandërprera nga publiku. Realizimi i këtij spektakli u organizua me mbështetjen e bashkisë së qytetit, ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe dy kompanive private.

Juria vendoi të shpallë fituese Mis Korça 2008 gjimanzisten Lorela Tuke, shoqëruese e parë e saj u shpall Ertemjona Mejdani, ndërsa vendi i shoqërueses së dytë i takoi Helana Sarollit. Nuk kanë munguar në këtë spektakël dhe çmime të tjera si Mis Fotozhenia, Mis Serenata, Mis Media etj.

a.f/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›