E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja u ba Kishë, poezia Altar



Projekt parathënie për “Lulet e natës”

Kto poema janë krejtësisht të pabotueme, ndonëse mosha e tyne asht relativisht e madhe. U krijuen e kurr s’dolën prej mitrës që i ushqeu, sepse jeta zhvillohej vetëm ditën e kto ishin lule nate. Lulet e ditës kishin punë me ditën e aleatët e saj; kurse kto të miat kishin të banin me natën dhe krijesat e saj; andrrën, makthet, përbindshat, frikën, veten tonë të panjoftun e të pazbulueme, diktaturën dhe përsëri andrrën. Po e përsëris për së dyti, sepse kur mbaron nata e Natës, zbulohet se mitra që mbajti përtej nandëmuejshit të natyrshëm ishte ajo, Andrra, e cila vazhdon përtej “shqisave të pjekuna” Andrra asht placenta e shafrani i poezisë.

Poemat e ma janë prodhim i artit të madh të gjumit. Ket art të ri e mësova prej nji mjeshtri të madh e prej nji shqiptari të madh, prej Fishtës. Më kish qëllue sa e sa herë me hy në Kishën e Fretërve, Franceskanë të Shkodrës, të kthyeme në sallë teatri. Më mija herë kam kalue mbi at vend ku qe vorrosë Kritiku i madh. Kurr nuk ndjeva keqardhje për të e kurr s’m’u dhimbs. Kurr s’më erdhi me shkrue për të e me thanë: “Kur shkel rrasën tande, o Kritik, kambëzbathë eci nëpër prush të gjallë”. Kurr. Kur kaloja- e kisha qejf të kaloja- e përftyroja Kritikun tue fjetë nji gjumë të thellë, të shtrimë, murran, si ndonji varg kodrash, me dorën mes faqes e jastëkut. Gjumi i tij ishte i thellë, frymëmarrja e tij ishte e lehtë. Gati vdekja. Por ai flente pa sintoma, ai bante nji gjumë të pavërtetueshëm. Gjumin e tij mund ta kuptonte vetëm besimi, kaq solemn, e i gjatë kishte qenë funerali i tij. Kur ndokush a disa banin zhurmë rreth tij, ai kishte çaste të shkurtra zgjimi, kthehej pa hape sytë në krah tjetër dhe, në të njajtën pozë, vazhdonte gjumin. Më asht dashtë shum kohë me ardhë deri te shprehja e thjeshtë: “Fishta flen”. Ky Zeus i frikshëm i bubullimave me shembullin e tij të përvujtë më mësoi artin e gjumit të thellë “me dashje”.

Poezia imeasht poezia e heshtjes. Mes shprehjes dhe heshtjes ka kontradiktë. Përpjekja ime ka qenë t’i jap za heshtjes. Përpjekja ime ka qenë me kultivue lule që çilin natën. Kisha shembullin e lule-iqindive. Poemat e mia, zani i ksaj heshtje, janë lulet e natës së Natës. Tjetër nëse heshtja ime vetëm belbzon, nëse asht ai memeci që na ban njëqind herë me qeshë deri sa arrin me qitë një fjalë prej goje. Ato janë zani i heshtjes, thashë. E kam fajin unë nëse lulet e mia kanë lunga e janë të depigmentizueme si kacabujt e kafetierave. Ato janë lule nate, prap po e them. Veçse frika e Natës e joshjet e Ditës nuk ma hoqën dëshirën e mallkuese të heshtjes. Për mua heshtja u ba Kishë, poezia Altari i saj dhe unë që vendosja në vazot e tij lulet e mia të natës. Kjo asht kshtu dhe vetëm kështu do të thuhet. Tashti që zani asht virtyt, ndoshta nuk do të dimë ma me kndue. Por unë mendoj se kush asht që e ka zakonin e të kthyemit mbrapa të kokës, mund t’i lexojë nji herë këta shkrime.

Lexuesit

Kto vjersha janë zgjedhë në nji grup krijimesh të shkrueme për gati 25 vjet e janë krejtsisht të pabotueme. Të njiqind poezitë e paraqituna ktu janë nji antologji.

Punimet e mia janë rritë e pjekë nën hije. Ky fakt mund të jetë vdekja e tyne, por edhe nderi i tyne. Çdo letërsi e mirë bahet dëshmitare e kohës së vet, bahet pasqyrë e anktheve, e pamundsive e krizave të nji a ma tepër brezave. Na që u lindëm rreth vjetit 1950 e që ishim rinia e vjetëve ’70 e hangrëm diktaturën plotsisht e gjatë gjithë ekzistencës sonë. Ndërsa na rriteshim si njerz, ajo rritej si diktaturë. Ajo programonte dhe kishte gjithë kohën e nevojshme me u marrë me ne. Na u rritëm të kufizuem, të konfeksionuem, të çorientuem dhe të traumatizuam.

Pema e shoqnisë shqiptare ishte konceptue pa sythin e majës, pa sythet e degzimit. Vetëm gjethë mund të kishte ajo. Dhe kta gjethë ishim na: të barabartë, impersonalë, anonimë.

Na asistuam në vetë të parë në hemorragjinë e kotë të jetës sonë, pa mundime realizue asgja personale. Na asistuam në pafuqinë tonë fajtorë për t’u thanë “jo” fakteve që na përlanë jetën, energjitë, moshën, përpjekjet, andrrat. Na asistuam në indiferencën e të tjerëve që, të ramë lehtësisht në grackën e “vitrinës”, na vështronin me nji përzimje frike e çudie si diçka zbavitëse e ekzotike.

Na kemi psue luftën e klasave që ishte plotësisht nji luftë civile, e komanduese prej Olimpit, ku secili duhet të ishte kundër secilit e që, në fund të fundit, rezultoi se mbi trupin thatim të shoqnisë shqiptare, pati efektin cfilitës të nji temperature subfebrile.

Na ndiem mbi lkurën tonë shkallmimin metodik dhe përmbysjen brutale të profilit moral të kombit nga njena anë, dhe, nga ana tjetër, ngritjen e nji ideali etatist, i fabrikuem ky nga nji burokraci meskine dhe servile, pra, shkurt, na përjetuem ardhjen e xhuxhëve moralë. Na asistuam në mrekullinë e përzgjedhjes spontane që na dha mundsinë me gjetë vlera themelore atje ku ato as që priteshin. Na mbollëm, rritëm, kultivuem dhe shijuem frutat e vogla e të tharta të nji stine tek s’ban të thatë: krijimet tona. Na jetuem dhe u rritëm në mes të familjes së traumatizueme dhe nji mjedisi shoqnor përherë e ma të specializuem me traumatizue familjen.

Na u rritëm në nji atmosferë të shterpzueme prej cdo lloj spiritualizmi, e cila mbasi e kishte mohue me forcë e me ligj ekzistencën e jetës së përtejme tinëzisht filloi me nxjerrë jashtë ligjit edhe jetën toksore të njeriut. Na patëm mbi kokë nji regjim politik që, si nji ekskreshencë patologjike, u rrit përbind e zuni at vend që i takon shoqnisë, tue qenë vetë nënfish e jo shumfish i saj. Na ua patëm zili të tjerëve që, prej fjalëve e angazhimit të tyne real, na jepnin me kuptua se e kishin atdheun. Na konstatuem te vetja dyzimin e personalitetit, frikën e likshtinë, njoftëm të vërtetën e hidhun se egoizmi ynë, sado parandalues që të dukej, kurr s’arriti ta shmangë radhën tonë të psimit. Na arritëm deri te kufijt e ekzistencës, tek koma sociale, te Heshtja, dhe atje ndërtuem çerdhen tonë të fundit. Ky qe shansi ynë i parë i mbijetesës.

Kto veçori që rreshtova janë pak a shum klima në të cilën çili-ose ma mirë me thanë- u rrgjue jeta e brezit tim. Nëse poezitë e mia e pasqyrojnë sado pak ket ankth, por nëse gjithashtu ato janë nji dëshmi e skajshme e nji lufte për të mbijetue intelektualisht e moralisht, unë do të jem i knaqun e i lumtur. Vjershat e mia janë monologë të nji vetmie gjeografike dhe ekzistenciale, janë nji kangë shpesh e egër, e kndueme me za të fikun dhe e destinueme fillimisht për veshët e së njajtës gojë. Tashti zemra më heq që shkrimet e mia të dalin përfundimisht nga heshtja. Përsa kohë që kjo s’ka ndodhë ende, vlera e tyne do të mbetet nji mirazh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›