Festat, fluks emigrantësh në pikat kufitare

Afrimi i festave të fundvitit vazhdon të krijojë fluks kalimtarësh në pikat kufitare në të gjithë vendit.
Mijëra persona, kryesisht emigrantë që kthehen për festat e fundvitit, kanë hyrë në vend nga të gjitha pikat kufitare.
Sipas informacioneve, të mbledhura nga gazetarët e "Ora News", vetëm orët e para të mëngjesit të së premtes në vend kanë hyrë mijëra persona.
Kështu vetëm nga pika kufitare e Kapshticës, në rrethin e Korçës, gjatë 24 orëve të fundit traun e doganës e kanë kaluar mbi 6400 persona.
Saktësohet se nga mbrëmja e së enjtes deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, nga Kapshtica kanë hyrë rreth 1300 persona, me mbi 300 mjete.
Pranë kësaj pike doganore, nuk shënohen radhë të dentura. Puna vazhdon normalisht me kapacitet të plotë.
Ndërkaq, në 24 orët e fundit fluksi më i madh në hyrje është shënuar nga pika doganore e Kakavijës në rrethin e Gjirokastrës.
Në 24 orët e fundit nga kjo pikë e kalimit kufitar, kanë hyrë mbi 13 mijë persona, dhe më shumë se 1000 automjete.
Ndërkaq, fluks më i ulët është paraqitur pranë pikave doganore të Qafë Thanës, Morinës, Bllatës, Murriqanit dhe Hanit të Hotit.
Sipas të dhënave zyrtare në 24 orët e fundit në Qafë Thana janë përpunuar mbi 750 persona, në Morinë, rreth 500 persona, në Bllatë rreth 490 persona, në Murriqan 630 persona dhe në Han të Hotit 790 persona.
Fluks në hyrje është shënuar edhe nga portet.
Kështu në 24 orë në Portin e Durrësit janë përpunuar mbi 7500 persona, në Vlorë mbi 1200 persona, dhe në Sarandë rreth 200 pasagjerë.
Ndërkaq, policia Kufitare dhe e Migracionit, lajmëron marrjen e masave për menaxhimin e fluksit dhe evitimin e radhëve pranë pikave kufitare.