E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e CEZ, në Tiranë për të zgjidhur "sherrin" me qeverinë

Drejtuesit më të lartë të kompanisë çeke, CEZ, parashikojnë të vijnë në Tiranë në datën 28 dhjetor. Shkaku i vizitës është debati i fundit mes qeverisë dhe OSSH-së sa i takon çmimit të dritave dhe kufizimeve. Në dy javët e fundit palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mosrespektim të marrëveshjes së privatizimit, firmosur në fillim të vitit 2009. Lajmin e vizitës e konfirmoi vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili tha se kishte biseduar me drejtuesit e kompanisë në Çeki dhe pritet një takim për t‘u dhënë zgjidhje disa mosmarrëveshjeve.

Pas refuzimit të Entit Rregullator të Energjisë për të mos i rritur tarifat me 23 për qind, sa i kishte kërkuar OSSH, drejtuesit e kompanisë këtu në Tiranë reaguan me indinjatë se po rrezikohen financat e shoqërisë. Sipas drejtorit të OSSH, me tarifën e miratuar mesatarisht 13 për qind nuk do të krijohen mundësi për rritje të ardhurash, kryeje investimesh, si dhe rrezikohet thellim i humbjeve. Sipas tij, mes CEZ dhe qeverisë ka një marrëveshje për rritje graduale të çmimeve me 15 për qind çdo vit, por ky detyrim nuk është respektuar nga pala shqiptare. Këtë pohim qeveria e hodhi poshtë, duke pretenduar se ERE ka zbatuar korrektësisht Deklaratën Rregullatore.

Nuk kaloi shumë dhe konflikti mes palëve zhvendoset në çështjen e kufizimit të energjisë elektrike. Sipas ministrit të Energjetikës, prej një jave drejtues dhe punonjës të OSSH janë duke ndërprerë padrejtësisht furnizimin me drita. "Në rast se kanë ndonjë pretendim me tarifat e energjisë, ka zgjidhje ligjore dhe jo të ndërpriten dritat", deklaroi ministri.

Një tjetër arsye e vizitës së drejtuesve më të lartë të CEZ është edhe inspektimi e verifikimi i punës të kryer nga punonjësit çekë këtu në Tiranë, ku ndër të tjera pritet të ketë vërejtje, sidomos për personelin e fryrë apo shpenzimet e tepërta.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›