Çmenden tregtarët, çmime të larta dhe mallra të skaduar
Jo vetëm çmime të larta në këtë fundvitit, por edhe mall skandaloz, me cilësi të dobëta dhe i skaduar prej kohësh. Kjo është situata në disa tregje të Tiranës, vërtetuar nga vetë inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Gjatë një inspektimi të kryer dje në tregun e shumicës, ministri Genc Ruli tha se, "Inspektorët e sigurisë ushqimore në të gjitha rajonet e vendit, duke pasur parasysh fluksin e madh të prodhimit, tregtimit dhe konsumimit të produkteve ushqimore, për periudhën e festave të fundvitit kanë kryer kontrolle për parandalimin e riskut, që cenon cilësinë dhe sigurinë ushqimore, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit". Kontrollet kanë qenë për etiketimin e produkteve të prodhuara në vend dhe të importuara, pijet alkoolike, lëndët e para të pastiçerisë (qumësht pluhur, pana etj) dhe i subjekteve prodhuese të pastiçerisë dhe tregjet e shitjes me shumicë për ushqimet me origjinë shtazore.
Janë realizuar kontrolle në 310 subjekte prodhuese dhe tregtuese të produkteve ushqimore. Gjatë këtyre kontrolleve janë konstatuar produkte ushqimore me afate skadimi të tejkaluara në sasinë rreth 390 kv me vlerë leku rreth 13 272 000 lekë, të cilat janë asgjësuar sipas procedurave të asgjësimit. Analizimi në laboratorët e sigurisë ushqimore në rajone i produkteve të pastiçerisë dhe pijeve alkoolike, ka nxjerrë përfundimin se këto produkte kanë rezultuar sipas standardeve në fuqi. "Problem mbeten tregjet, pasi janë të amortizuar dhe nuk plotësojnë kushtet për të realizuar tregtimin e produkteve me origjinë shtazore. Miratimi dhe kontrolli i tregjeve bëhet nga Pushteti Vendor, ndërsa kontrollin e kushteve higjieno-sanitare e kryejnë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë", tha ministri Ruli. Sipas tij, problematikë mbetet edhe dokumentacioni shoqërues nga origjina, pasi jo të gjitha subjektet e marrin mallin me certifikatë origjine e certifikatë veterinare, gjë që vështirëson identifikimin e subjekteve prodhuese ose importuese të produkteve ushqimore.