Senati voton ligjin historik për ndryshime në kujdesin shëndetësor
Senati Amerikan ka aprovuar ligjin e rëndësishëm dhe të shumëdiskutuar të kujdesit shëndetësor, një ligj reformator që është mbështetur që në fillim nga vetë Presidenti Barak Obama. Ky ligj sjell ndryshime të mëdha në tregun e sigurimeve shëndetësore dhe mbulon dhjetëra milionë amerikanë që nuk janë të siguruar. Demokratët e Senatit e kanë mbështetur 60-39 vota ligjin i cili përbën edhe zhvillimin më të rëndësishëm dhe themelor të tij në 4 dhjetëvjeçarët e fundit. Votimi është bërë në orët e para të ditës së Krishtlindjeve dhe është rezultat i muajve të gjatë të kundërshtive, debateve, negocimeve në kongres. Ky ligj gjithashtu ka ndikuar edhe në rënien së fundi të popullaritetit të Obamës. Kjo votë u hap rrugën negociatave të ashpra që do të zhvillohen në janar me përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë, që ka aprovuar versionin e saj të ligjit në 7 nëntor, në të cilin ka një qëndrim tjetër në lidhje me taksat, abortin dhe programin e sigurimeve shëndetësore. "Me kalimin e këtij ligji reformues si në Kongres, ashtu edhe në Senat, ne jemi më në fund në prag të realizimit të një premtimi të madh për një reformë gjithëpërfshirëse dhe domethënëse të sigurimit shëndetësor", ka deklaruar Presidenti Obama në Shtëpinë e Bardhë menjëherë pas votës. "Sfida jonë është që ta përfundojmë sa më shpejt këtë zotim të ndërmarrë", ka vazhduar ai. Kur Senati dhe Kongresi do të bien në një mendje për variantin përfundimtar të ligjit, më pas çdo senator do të duhet ta aprovojë atë sërish para se t‘i dërgohet për firmë Presidentit. Ndërkaq, republikanët janë zotuar që do ta vazhdojnë betejën e tyre. "Kjo luftë nuk ka marrë fund dhe unë e kolegët e mi do të përpiqemi me të gjitha forcat që ta ndalojmë këtë ligj", ka deklaruar lideri republikan i Senatit, Mitch McConnell. Sesioni i Senatit i zhvilluar ditën e Krishtlindjeve, i pari që nga viti 1896, ka përmbushur një premtim të liderit demokrat të Senatit, Harry Reid, për të kaluar ligjin para përfundimit të vitit, madje para Krishtlindjeve. Republikanët i janë kundërvënë hapur ligjit. Vota e këtij ligji ishte edhe një homazh që i bëhet të ndjerit senator Keneddy, një nga hartuesit dhe mbështetësit e flaktë të ligjit. Ky ligj do të sjellë ndryshimet më të mëdha të ndodhura deri më tani në kujdesin shëndetësor, madje që nga viti 1965. Ai pritet që të mbulojë rreth 30 milionë amerikanë që nuk janë të siguruar ose 94% të të gjithë amerikanëve dhe të ndalojë praktika të tilla si refuzimin e sigurimit të personave që kanë disa të dhëna të caktuara. Ligji do të kërkojë që të sigurohen më shumë amerikanë se deri më tani dhe jep mbështetje financiare për të paguar një pjesë të sigurimit. Një pjesë e neneve të tij do të dojë kohë për t‘u vënë në zbatim, por gjërat më të rëndësishme do të hyjnë në fuqi dhe do të realizohen që në vitin e parë. Kritikët e ligjit thonë se ai është jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe i papërballueshëm nga qeveria dhe sektori shëndetësor dhe mbi të gjitha do të rrisë shumë deficitin buxhetor. Ndërkaq, javën e ardhshme do të nisin bisedimet mes Senatit dhe Kongresit për disa nga pikat e diskutueshme të tij. Por edhe pse vota e Senatit mbyll kapitullin e procesit legjislativ, ka ende shumë punë për t‘u bërë në aspektin konkret dhe atë praktik. Kalimi i këtij ligji është kritik dhe shumë i rëndësishëm për Obamën, i cili premtoi që gjatë fushatës ndryshime thelbësore në ligj.