E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon tenderi për HEC-in e Skavicës

I parashikuar të ndodhte më datë 22 dhjetor, tenderi i famshëm për hidrocentralin e Skavicës në veri të vendit ka dështuar plotësisht, për shkak të mungesës së konkurrencës. Ministria priste një numër të konsiderueshëm firmash, të cilat kishin tërhequr dokumentet për pjesëmarrjen në tender, por në fakt nuk rezultoi i tillë. Lajmi u mësua dje nga burime pranë ministrisë, të cilët nuk preferojnë të japin detaje të hollësishme dhe as periudhën se kur mund të përsëritet tenderi. HEC-i i Skavicës mbart një histori të gjatë, gati 7-vjeçare dhe me plot premtime për ndërtimin dhe funksionimin e tij, por shkaqet e ndryshimeve ligjore dhe tashmë financiare, nuk e bëjnë të mundur realizimin e projektit. I konsideruar gjigand për nga madhësia, vlera e investimit dhe sasia e prodhimit, Skavica do të shërbente si një depozitë kryesore për HEC-et e tjera pranë lumit Drin.

Tenderi

Në garë pritej të merrnin pjesë gjashtë kompani të huaja, nga më të njohurat në tregun energjetik, të cilat kishin shprehur interes dhe mundësi financimi. Gara për koncesionin kishte nisur zyrtarisht në vitin 2008, me kualifikimin paraprak të 6 kompanive, mes tyre italiane dhe gjermane. Tenderi përfundimtar ishte parashikuar të mbyllej rreth një vit e gjysmë më parë, por shkaqet ekonomike sollën shtyrjen. Sërish i njëjti motiv ndikoi në mosrealizimin e tenderit tri ditë më parë. Burime jozyrtare argumentojnë se firmat në tender nuk kanë pasur mundësi të siguronin kredi nga bankat për investimin, që në total shkon deri në 600 milionë dollarë. Gjashtë kompanitë e interesuara ishin "TGK Skavica srl", një kompani italiane që ka përgatitur edhe projektin, "Korea Electric Power Corporation", "STATKRAFT" nga Norvegjia, konsorciumi "VERBUND KELAG GRUP" nga Austria dhe "R.W.E" AG nga Gjermania.

Projekti

Hidrocentrali i ri mund të prodhojë rreth 1.3-1.8 miliardë kilovat/orë energji në vit, që ka vlerë tregtare prej rreth 65-80 milionë eurosh, sipas çmimeve aktuale të energjisë së importuar në Shqipëri. Nëse realizohet, ky hidrocentral pritet të rrisë prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri me 10-15 për qind nga niveli aktual. Të gjithë pjesëmarrësit në tender janë kompani të rëndësishme të tregut europian të energjisë. Punimet për ndërtimin pritet të zgjasin shumë vite, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së rrugëve. Ekspertët thonë se Skavica është më i rëndësishmi nga të gjitha kontratat e nënshkruara deri tani për shkak të sasisë së energjisë që pritet të prodhohet, si dhe për shkak të rentabilitetit shumë të lartë që pritet të ketë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›