E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, radhë në anën greke të Kapshticës

 

KORÇE - Ashtu sikurse është bërë “traditë”, në çdo rast festash, emigrantët presin me orë të tëra në radhë për të kaluar në pjesën shqiptare të Kapshticës. Fundjava shënoi fluks për shkak të festave të Pashkëve. Burime nga Policia Kufitare bënë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në vendin tonë 4200 emigrantë, shumica e të cilëve kanë udhëtuar me automjetet e tyre. Në regjistrat e doganës së Kapshticës janë regjistruar 822 autovetura dhe 32 autobusë të linjave mes qyteteve kryesore greke dhe shqiptare. Policia Kufitare kishte marrë masa për përballimin e fluksit, duke shtuar personelin e shërbimit që të mos krijoheshin radhë. Kështu, duke filluar nga dita e premte në doganën shqiptare punohet në shtatë sportele. Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë edhe në mjediset doganore greke. Edhe pse fluksi i emigrantëve është rritur ndjeshëm, puna në pjesën greke të doganës vijon vetëm me dy sportele, si në ditët e tjera normale. Dje pas mesnate, emigrantëve u është dashur të qëndrojnë në radhë deri edhe në 2 orë. Ata janë detyruar të qëndrojnë jashtë, me fëmijë e gra, ndonëse nata ishte tejet e ftohtë, me temperaturë tepër të ulët. Gjatë javës në vazhdim fluksi i emigrantëve pritet të shtohet për të kapur rekordin e tij ditët e premte dhe të shtunë.              j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›