ICO: Decentralizimi, shansi i serbëve për vendimmarrje
Serbët e Kosovës kanë në dorë shansin e vitit për të përfituar nga avantazhet, që u jep procesi i decentralizimit, pasi qeveria në Kosovë po shkon drejt finalizimit të këtij procesi, por edhe në këtë pikë është futur në mes Beogradi zyrtar. Pas deklaratës së sekretarit serb të Shtetit në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, se serbët nuk mund të bashkëpunojnë nëse procesin e decentralizimit e drejton Zyra Civile Ndërkombëtare apo Qeveria e Kosovës, autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Beogradin zyrtar, se po manipulon serbët lokalë edhe në procesin e decentralizimit. Ivanoviç tha se serbët do t’ia besonin këtë proces vetëm Këshillit të Evropës, për të ruajtur kështu neutralitetin. Por ndërkombëtarët kujtojnë se serbët nuk e kanë këtë mundësi zgjedhjeje. “Oferta është në tavolinë, u takon serbëve lokalë, që të vendosin nëse duan ta pranojnë këtë ofertë”, tha zëdhënësi i ICO-së, Kai Muller Berner. Sipas deklaratës së përcjellë prej tij, Këshilli i Evropës nuk mund të merret me këtë proces, sipas kërkesës së Ivanoviç. Ai këshilloi serbët e Kosovës ta shikojnë me shumë seriozitet procesin, sepse përmes tij mund të përfshihen në mekanizmat vendimmarrës. “Procesi i decentralizimit është iniciativë e Qeverisë së Kosovës dhe procesi gjendet në një fazë të avancuar. Është ofertë për serbët, për të pasur më shumë vetëqeverisje lokale. Kjo ofertë duhet shikuar me shumë seriozitet nga ana e serbëve lokalë, sepse përmes saj mund të përfshihen në mekanizmat vendimmarrës. Ne po shohim shenja inkurajuese”, u shpreh Berner. Zyra Ndërkombëtare Civile,(ICO), e konsideron këtë mundësi shansin e vitit për serbët. Qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëpunimin e serbëve lokalë dhe jo të Beogradit për procesin e decentralizimit, i cili parasheh krijimin e komunave të reja serbe. Kreu i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliç, thotë se vendimi për decentralizim mund të jetë i pranueshëm për palën serbe në kuadër të modifikimit të planit të Ahtisaarit dhe pranimit të 6-pikëshit. Lokalitetet e banuara me shumicë serbe, që pritet të shndërrohen në komuna, janë: Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica e Veriut, si dhe zgjerimi i komunës aktuale të Novobërdës. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë se komunat e reja mund t’i legjitimojë vetëm dalja e serbëve në zgjedhjet lokale.
Kosova, Shqipëria bashkë në BE
“Kosova e Shqipëria do të jenë shtete të integruara në BE, ku kufijtë më nuk do të jenë të rëndësishëm”, tha dje Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas takimit me pretenduesin e fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu i Parë. “Askush nuk mund t’i pengojë më Kosovën dhe Shqipërinë që të bashkëpunojnë si dy shtete mes tyre”, tha Sejdiu.