E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saliu dhe miu kanë shkatërruar Myzeqenë

Dritan Prifti 

Kam parë që ditët e fundit Sali Berisha ka shkuar disa herë për të inauguruar vepra publike në Myzeqe, Fier dhe Lushnjë.  Inauguroi disa ditë më parë autostradën Lushnjë–Fier, e cila duhet të kishte mbaruar në korrik 2006 sipas kontratës. Autostrada kishte ardhur nga Kashari i Tiranës në Lushnjë për 1 vit e gjysmë, nga qeveria Meta në 2000-2001. Që nga 2001, kjo autostradë erdhi në Fier për 8 vjet. Me këto ritme pune Sali Berisha nuk mund të mburret dhe krenohet, sepse këto janë ritme breshke.
Dje përsëri Sali Berisha shkoi në komunën Strum të Fierit dhe inauguroi fillimin e punës për një rrugë dhe një kanalizim. Janë hapur kështu dhjetëra tendera në Myzeqe për të treguar se do të bëhen punë të mëdha nga qeveria Berisha. Në fakt kemi të bëjmë vetëm me një strategji të re mashtrimi, se gjoja Berisha po punon dhe Shqipëria po ndryshon. Të gjithë këto tendera janë hapur vetëm me 5% të fondit të tyre, aq sa për të filluar punimet para zgjedhjeve. Askush nuk mund të japë përgjigje se kur mund të mbarojnë këto investime. 
Sali Berisha në vitin 2005 e kritikoi këtë mënyrë mashtruese qeverisje, kur Fatos Nano hapi tendera në gjithë Shqipërinë me 5% të fondit të duhur, për të treguar se po bëheshin shumë punë.  Berisha i quajti këto veprime të jashtëligjshme, dhe në kuadër të fushatës mashtruese elektorale që po bënte PS-ja në pushtet. Sot Berisha po bën të njëjtën gjë. Ai po krijon idenë se po punohet kudo, kur në fakt këto investime janë elektorale. Shqiptarët nuk i hanë këto mashtrime, sepse dhe nga Fatos Nano nuk i hëngrën.  Me ato lloj metodash Fatos Nano doli në opozitë. Këto metoda do ta nxjerrin dhe Berishën në opozitë në 28 qershor. Ka fakte që tenderat që po bën Berisha janë me preventivë shumë të fryrë dhe ekzagjeruar, për t’i dhënë mundësi kandidatëve të PD-së apo komunarëve të saj, të fitojnë shumë para për t’i përdorur në fushatën zgjedhore. Ka fakte që me këto para përfaqësues të PD-së po paguajnë kartat e identitetit të militantëve të vet, duke krijuar avantazh për të vetët dhe disavantazh për opozitën.
Me gjithë këto investime mashtruese që Berisha po bën në prag të fushatës, faktet për punën e qeverisë në 4 vjetët e fundit janë goditës, sidomos për Myzeqenë. Bujqësia shqiptare, me shpirtin e saj në Myzeqe, është shkatërruar. Indiferenca e pushtetit ka bërë që tokat në Myzeqe mos të punohen. Qeveria ka dhënë për bujqësinë rreth 5 miliardë lekë fonde në vit, kur për ushtrinë jepet 3 herë më shumë. 5 miliardë lekë fonde për bujqësinë janë tallje me këtë sektor jetik, sepse janë më pak se 1% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), kur bujqësia jep 20% të PBB. Nga këto 5 miliardë lekë, rreth 3 miliardë janë shpenzime administrate, kurse për investime shkojnë vetëm rreth 2 miliardë. Ky injorim i sektorit bujqësor ka sjellë degjenerimin e tokave bujqësore, nga mungesa e ujitjes dhe kullimit, kripëzimi apo degjenerimi për shkak të mospunimit shumëvjeçar. Qeveria, me monopolet e deputetëve biznesmenë të PD-së, ka bërë që çmimet e plehrave kimike apo të mekanikës bujqësore të jenë të papërballueshme për fermerët shqiptarë. Me mashtrimet për rrugët rurale apo ndërtimin e tregjeve bujqësore, qeveria ka dekurajuar edha ata pak fermerë që në të shkuarën kanë prodhuar, sepse produktet e tyre bujqësore kanë mbetur pa shitur. 
Para pak ditësh isha në një takim në Krutje të Lushnjës, atje disa fermerë më thanë se miu i arave po shkatërron çdo të mbjellë që ata kanë sot në ara. Miu po ha grurin, misrin, jonxhën e lopës, por edhe pemët. Miu dhe Saliu na kanë shkatërruar plotësisht, - më thanë fshatarët. Më erdhi për të qeshur me këtë batutë të këtyre myzeqarëve, por batuta më duket shumë pranë realitetit.
Qeveria në statistikat e punësimit i quan fermerët të vetëpunësuar në bujqësi. E vërteta është që 80% e fshatarëve tanë janë të papunë, dhe kanë pamundësi të përballojnë koston e lartë të jetesës. Fshati shqiptar, por dhe ai myzeqar, janë sot në varfëri të tejskajshme. Fshatarët nuk përballojnë dot ushqimet e familjes. Ata nuk përballojnë dot shkollimin e fëmijëve. Ata nuk përballojnë dot kartat e identitetit për zgjedhje. Ata mbyllin televizorët kur del Berisha, sepse në këto 4 vjetët e fundit, gjendja e tyre ekonomike është përkeqësuar maksimalisht.
Berisha shpreson që fshatarët e fermerët myzeqarë të kenë memorie të shkurtër, të kujtojnë investimet që gjoja po bëhen sot, dhe të harrojnë që në 4 vjet është bërë shumë pak. Berisha shpreson që naftëtarët e Patosit apo Marinzës, Strumit apo Kurjanit, të harrojnë që para pak muajsh Berisha nxori nga puna rreth 3.000 prej tyre. Berisha shpreson që myzeqarët të harrojnë që Berisha s’ka pasur kurrë në qeveritë e tij ndonjë ministër myzeqar.  Braktisjen totale që i është bërë Myzeqesë nga qeveria e djathtë e Berishës, nuk mund ta harrojnë myzeqarët, sepse gjoja Berisha po harxhon tani 5 lekë për këtë krahinë, në 5 ditët e fundit të pushtetit që i kanë mbetur atij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›