Peshkopi, vrasja për një video
PESHKOPI/ HASAN PASHA
Teksa të afërmit e Reshat Rustanit organizonin ceremoninë mortore të njeriut të tyre, policia dhe Prokuroria e Dibrës kanë intensifikuar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Burime të sigurta policore saktësojnë se krimi i ndodhur paraditen e së dielës e ka zanafillën një vit më parë, kohë kur Qemal Kaci pretendon se është fyer publikisht nga viktima. Pas marrjes në pyetje dhe pasi është qetësuar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Peshkopisë, Kaci nuk ka arritur të mohojë krimin që ka kryer. Sipas policisë ai është kapur në flagrancë me armën që posedonte pa lejen e autoriteteve të policisë dhe së dyti nuk ka hezituar të tregojë për oficerët e policisë gjyqësore se: “Një vit më parë, në prani të shumë banorëve të tjerë, Reshati më ka fyer rëndë nga familja. Mendova se kishte hequr dorë nga shpifjet e akuzat dhe nuk reagova për një kohë të gjatë. Mirëpo edhe ditët e fundit njerëzit e mi më thonë se ai vazhdonte të fliste poshtë e lart, madje me fjalë të rënda. Mu errën sytë e nuk durova më gjatë. Unë gruan e kam të sëmurë, ndërkohë viktima është martuar tre herë. Nuk mund të duroja shpifjet e ulëta dhe publike që Reshat Rustani bënte ndaj familjes time”. Ndërkohë hetuesit e ngjarjes kanë thirrur një numër të konsiderueshëm dëshmitarësh. Të afërmit e viktimës janë shprehur gjatë ceremonisë mortore se sherri mes Reshatit dhe Qemalit ka nisur për një video, gjë që shumë pak njerëz e besojnë, pasi autori i krimit ka pohuar në polici se vrasja e kryer nuk kishte të bënte me punën e Reshatit si shitës. Të afërmit kanë treguar se: “Reshati dhe Qemali janë zënë dhe kanë bërë sherr me njëri-tjetrin shumë kohë më parë. Qemali ka pretenduar se Reshati i ka shitur atij një video të vjetër dhe të prishur. Nuk janë të vërteta akuzat e publikuara në media. Reshati nuk ishte njeri i tillë. Ai gëzonte respektin e qytetarëve të Peshkopisë dhe kurrë nuk është konfliktuar me njerëzit. Drejtësia duhet të vihet në vend, ndryshe hakmarrja nuk do të ndalet”, kanë pohuar për “Panorama” njerëzit e afërm të viktimës. Dje në orët e para të mëngjesit, të afërm të autorit të ngjarjes kanë kërkuar “besë” për të ngushëlluar dhe pirë një kafe në familjen Rustani. Ndërkohë, përgjigjja e ardhur ka qenë negative. “Është shpejt për t’u pajtuar apo për të pranuar në shtëpinë tonë njerëzit e vrasësit”, janë shprehur familjarët e Rustanit. Policia lokale ka vijuar shërbimin për të mbrojtur familjen Kaci dhe njerëzit e tij të afërm, derisa drejtësia të thotë fjalën e vet dhe burrat e Kanunit të merren me pajtimin e gjaqeve.
Viktima u shoqërua për hetimin e disa vjedhjeve
Mësohet se një javë më parë është thirrur në cilësinë e dëshmitarit në policinë e rrethit, Reshat Rustani. Tre të rinj të ndaluar për “vjedhje në bashkëpunim” kanë deklaruar në polici se sendet e vjedhura i dërgonin në dyqanin e Rustanit kundrejt një vlere të caktuar. Pronari i elektro-shtëpiakeve e ka mohuar akuzën e të rinjve, duke u shprehur se ata e kishin bërë atë thjeshtë për t’i shpëtuar policisë lokale. Ndër personat e akuzuar ishte dhe Edison Lleshi, i cili u hodh disa orë pas shoqërimit nga kati i tretë i godinës së komisariatit të Peshkopisë. Sipas familjarëve të tij, kjo ngjarje ndodhi për shkak të dhunës së policisë.