Kriza, dërgesat e emigrantëve 200 milionë më pak se vjet
Të dhëna nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se deri në fund të nëntorit dërgesat e emigrantëve shqiptarë ishin 200 milionë euro më pak se vjet për të njëjtën kohë. Vështirësitë ekonomike të vendit janë të shumta, por ulja e dërgesave të emigrantëve ka ndikuar drejtpërsëdrejti në shpenzimet e shumë familjeve shqiptare, të cilat janë të varura nga këto të ardhura. Banka e Shqipërisë vëren se ndikimi i uljes së dërgesave është element me rëndësi në rënien e konsumit. Dërgesat e emigrantëve shqiptarë janë pakësuar për shkak të krizës ekonomike që po kalojnë disa prej vendeve më të zhvilluara të botës dhe ku gjenden shumica e emigrantëve shqiptarë. Ekonomia shqiptare e ka të pamundur të qëndrojë në gjendjen e tanishme pa paratë që vijnë nga emigrantët, të cilat sjellin çdo vit mbi një miliardë euro, dhe e gjithë kjo sasi parash shkon për të mbuluar deficitin e thellë tregtar të vendit, por në anë tjetër ajo shërben për të mbajtur gjallë shumë biznese dhe për të bërë më fleksible ekonominë tonë.Mungesa e 200 milionë eurove në ekonominë shqiptare është një problem i madh, por të dhënat thonë se dërgesat e emigrantëve nuk po japin asnjë shenjë se do të përmirësohen, ndërkohë që vetë ekonomia shqiptare është në ditë të vështira dhe nuk ka asnjë mundësi në gjendjen e tanishme për të kompensuar këtë mungesë.Ndërkohë, para disa kohësh Banka Botërore e kishte paralajmëruar se pavarësisht krizës financiare që përfshiu botën, dërgesat e emigrantëve do të binin, kjo për shkak se ata do të krijonin jetën e tyre në shtetet ku punojnë dhe do dërgonin më pak para.(start/tema)