Festat, vazhdon fluksi i emigrantëve
Kthimi i emigrantëve në Shqipëri për festat e fundvitit, nuk ka shkaktuar sivjet radhë të gjata në hyrje-daljet kufitare të vendit. Njoftohet se nga pika doganore e Kakavijës janë regjistruar në hyrje të tokës shqiptare 4.340 persona dhe 1.280 automjete, ndërsa kanë dalë 2.000 persona dhe 600 automjete. Pala shqiptare punon me 6 sportele ndërsa pala greke punon me 3 sportele.
Fluks udhëtarësh paraqiten dhe në doganën e Kapshticës, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë drejt tokës shqiptare 4.296 persona dhe 1.286 automjete, ndërsa kanë dalë nga territori ynë 1.612 persona dhe 445 automjete.
Në ditët në vijim pritet të ketë një rritje të numrit të pasagjerëve, të cilët i drejtohen portit të Durrësit.
Nga prenotimet e bëra në agjensitë e ndryshme detare, rezulton se në ditët në vijim fluksi i pasagjerëve pritet të arrijë në 6 mijë persona dhe 2.500 automjete në ditë.