Rrëshen, përurohet biblioteka Gjon Gazulli
Në prag të festës së Vitit të Ri bashkia ka bërë përurimin e rikonstruksionit total të bibliotekës së Rrëshenit. Bibliotekës, - u hap 30 vjet më parë me një fond deri në 70 mijë ekzemplarë - i shtohen dy salla ekspozimi të librit me fond të hapur, kryesisht të librit për fëmijë, si dhe një sallë komode për lexim dhe ekspozim. Kanë qenë dy mjedise krejt të braktisura prej 10 vitesh që janë kthyer në funksion të qytetarëve, po ashtu duke përftuar një sallë të re nga ana e portalit anësor të skenës, gjë që ka sjellë dhe modelimin e tërë kësaj hapësire me dy mjedise të tjera po funksionale për anekset e skenës së madhe të pallatit. Ndërhyrje janë bërë edhe në fasadë dhe tarracë dhe janë krijuar dy lulishte të reja para bibliotekës, e cila këtej e tutje do të mbajë emrin “Gjon Gazulli”, vendosur nga këshilli i bashkisë pas propozimit të bërë nga ana e një grupi studiuesish, shkrimtarë dhe gazetarë mirditorë. Investimi rikonstruktues u bë i mundur në sajë të financimit që dha Ministria e Kulturës në shumën 2 milionë lekë. Me ndihmën edhe të donatorëve privatë, u bë e mundur që projekti të mos lihej në mes, madje u përftua dhe një sallë tjetër në pallatin e kulturës, një galeri arti që do të shërbejë edhe si sallë mbledhjesh minimalisht me 40 karrike.
Prerja e shiritit për “Gjon Gazullin” u bë nga n/prefekti Gjon Pjetri dhe drejtuesja e CANGO-s Anduena Shkurti.