Festë në Romë, verdhekuqtë në krye të Serisë A
ROME-Interi ka humbur kreun e Serisë A, pas barazimit 2-2 me Fiorentinën dhe fitores së Romës në shifrat 2-1 kundër Atalantës. Java e 33-të e Serisë A ka sjellë ndryshimin e parë në kryesim në 4 vitet e fundit, që janë dominuar nga skuadra zikaltër. Verdhekuqtë e drejtuar nga Klaudio Ranieri mposhtën Atalantën, duke u ngjitur në kuotën e 68 pikëve, një më shumë se Interi i vendit të dytë. Skuadra e Murinjos zhgënjeu sërish të shtunën në mbrëmje, duke mos shkuar më shumë se një barazim 2-2 në Firence përballë Fiorentinës. Vendasit realizuan të parët me anë të Keirrison, ndërsa golat e Militos dhe Etosë i dhanë avantazhin skuadrës zikaltër, përpara se mbrojtësi Kroldrup të barazonte. Nga ndalesa e Interit nuk ka mundur të përfitojë Milani, që barazoi 2-2 në shtëpi përballë Katanias. Skuadra e Leonardos tashmë e sheh veten 4 pikë larg kreut që mbahet nga Roma. Ndërkohë është rikthyer te fitorja Juventusi, që mposhti 1-0 Kaljarin në Torino, ndërsa Lacio fitoi 3-2 në fushën e Bolonjës. Palermo ndërkaq ka ruajtur vendin e katërt, duke mposhtur 3-1 në shtëpi Kievon. Në ndeshjet e tjera, Siena fitoi 3-2 ndaj Barit, ndërsa Udineze mposhti 2-0 në transfertë Livornon.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)