E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festime e kufizime trafiku për 1-vjetorin e NATO-s



Me rastin e njëvjetorit të hyrjes së Shqipërisë në NATO, sot Qeveria do të organizojë një sërë eventesh për të përkujtuar këtë ditë. Kulmi i festimeve do të ndodhë në orën 7 pasdite të ditës së sotme, ku para Pallatit të Kongreseve do të zhvillohet një koncert artistik, që organizatorët e cilësojnë si unik në llojin e vet. Në këtë koncert kanë konfirmuar praninë e tyre të gjithë krerët e shtetit si Presidenti Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ndërsa nuk kanë munguar edhe ftesat për aktorë të tjerë të shoqërisë, për të ndjekur perforimin në skenë. Ndërkaq, Policia e Shtetit njoftoi se gjatë ditës së sotme do të ketë kufizime në qarkullimin rrugor me rastin e festimeve. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të marrë masa për rritjen e sigurisë së rendit dhe qetësisë publike, për garantimin e zhvillimit normal të këtij aktiviteti festiv. Kufizimet do të fillojnë nga ora 15:00 deri më 24:00, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga Ura e Lanës pranë hotel “Dajtit” dhe deri në sheshin “Nënë Tereza”, Tiranë. Ndërkaq, kufizime pati edhe dje në trafik, duke filluar nga ora 19:00 deri më 22:00, përgjatë segmentit të shtrirë përgjatë sheshit “Nënë Tereza”, Tiranë. Ndërkohë, sot festimet do të nisin në orën 10:00, ku në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (ish- Shkolla e Bashkuar) do të zhvillohet konferenca jubilare për 1- vjetorin e anëtarësimit në NATO, të cilin do e drejtojë Kryeministri Berisha. Nga ana tjetër do të ketë edhe dekorime për stafet ushtarake, të cilat kanë shërbyer në ushtrinë shqiptare gjatë këtyre viteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›