Socialisët nisin protestat nga Lushnja
Partia Socialisti nisi dje nga qyteti i Lushnjes protestat për transparencën e zgjedhjeve dhe krizën ekonomike. në Lushnje pranë qytetarëve ishin dhe deputetët e qarkut të Fierit, Bashkim Fino, Arben çuko dhe Fatos Tushe. Në fjalën e tij, Bashkim Fino tha se “tashmë ka ardhur koha që të jepet maksimumi nga të majtët për të siguruar atë që kërkojnë, sipas tij, të gjithë shqiptarët, hapjen e kutive të votimit. Fino nuk ka hezituar të shigjetojë kryeministrin Berisha duke e akuzuar se po mban peng lejimin dhe hapjen e rrugës për të bërë transparencë. Në të kundërt, sipas Finos, “ai duhet të lerë postin e tij”. “Ne si koalicion i majtë dhe si parti socialiste në veçanti, kërkojnë vetëm një të drejtë legjitime që na e garanton ligji. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por një siguri që nesër të mos belbëzojmë se e patëm në dorë dhe nuk ditëm të krijojmë terren të përshtatshëm për zgjedhje me standarde bashkëkohore dhe të ndershme”, u shpreh Fino.